E Hënë, 2 Nëntor 2026

MAL I ZI – Dënimi i liderëve të UÇK-së, reagon Gjeloshaj: Vendim jashtëzakonisht i padrejtë

PODGORICE, 16 shtator /ATSH/ – Zv.kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj ka reaguar pas vendimit të Hagës për liderët e UÇK-së.

Me një reagim në rrjetin e tij social në Facebook, ai u shpreh se ky është një vendim jashtëzakonisht i padrejtë. Gjeloshja u shpreh se deri në përfundimin e plotë të procesit, do të dëshmohet pafajësia e të gjithëve.

“Lajm shumë i keq dhe një vendim jashtëzakonisht i padrejtë!. Sot mund të jetë ditë zie për shqiptarët, por qëndrimi dinjitoz i të akuzuarve i jep forcë popullit shqiptar që ta përballojë këtë dhimbje, me besimin se ky aktgjykim i tmerrshëm do të rrëzohet në instancat më të larta. Nuk kam besuar kurrë se një vendim gjyqësor mund të ishte i tillë dhe kaq i padrejtë. Ky është vendim i shkallës së parë dhe procesi gjyqësor nuk ka përfunduar”, shkruan Gjeloshaj,

”Besojmë se, deri në përfundimin e plotë të procesit, do të dëshmohet pafajësia e të gjithëve. Lufta e UÇK-së ishte vetëmbrojtëse, çlirimtare dhe e drejtë. Ishte luftë për mbijetesën, lirinë dhe shtetin e Kosovës, e përkrahur nga aleatët tanë perëndimorë. Agresori nuk mund dhe nuk duhet të barazohet me atë që është detyruar të mbrohet”, shtoi ai.

”Shqiptarët dhe vetë të akuzuarit i kanë respektuar institucionet ndërkombëtare. Ata as nuk kanë ikur, as nuk janë fshehur, por janë paraqitur para drejtësisë dhe do ta vazhdojnë betejën e tyre ligjore deri në fund”, theksoi Gjeloshaj.

”Çdo shqiptar e ka në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së dhe komandantin legjendar Adem Jashari. Çdo shqiptar beson në pafajësinë e tyre! Liria dhe pavarësia kanë një vulë: UÇK-ja dhe Amerika!”, shkroi ai.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›