E Hënë, 2 Nëntor 2026

MANILA – Tërmet i fortë në Filipine, raportohet për viktima

MANILA, 30 shtator /ATSH-DPA/ – Një tërmet i fuqishëm goditi sot në mbrëmje pjesën qendrore të Filipineve, duke shembur ndërtesa të vjetra, duke shkaktuar panik mes njerëzve dhe duke lënë pas një numër të papërcaktuar viktimash, raportuan mediat lokale.

Tërmeti kishte magnitudë 6.9 ballë të shkallës Rihter, sipas Institutit të Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë (Phivolcs).

Epiqendra e tërmetit ishte në det, pranë qytetit Bogo në provincën Cebu, rreth 512 kilometra në jug të Manilës.

“Ky konsiderohet një tërmet shumë i fortë”, tha drejtori i Phivolcs-it, Teresito Bacolcol, në një intervistë radiofonike.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregonin struktura që shembeshin, përfshirë dy kisha në provincën Cebu, si dhe turma njerëzish që vraponin në panik në një treg publik në qytetin Cebu.

Dhjetëra pacientë në një spital të Cebu-s u evakuuan dhe po qëndrojnë jashtë.
Mediat lokale raportuan për “disa të vdekur” në qytetin San Remigio të provincës Cebu, ku po zhvillohej një ndeshje basketbolli në një kompleks sportiv në momentin kur ndodhi tërmeti. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›