Rindërtimi, Sako: Shpërndamë çelësat e apartamenteve për 132 familje

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ 132 familje të qytetit të Durrësit që humbën shtëpitë nga tërmeti, nga sot do të nisin një kapitull të ri në jetën e tyre duke hyrë në banesa të reja, me standarde bashkëkohore.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako u shpreh se sot u shpërndanë çelësat e apartamenteve të reja për banorët e pallatit Kastrati, në njësinë administrative nr. 5.
Sako theksoi se me këtë hap, mbyllet me sukses procesi i rindërtimit për këto familje.
“Ky është një hap i madh përpara që kemi hedhur së bashku. Ndihemi krenarë për punën e madhe që kemi bërë dhe i falënderoj qytetarët për besimin dhe për durimin e tyre. T’i gëzoni e të keni shëndet e plot gëzime në shtëpitë tuaja të reja”, tha Sako.
Kryebashkiakja e Durrësit tha se më në fund u finalizua një punë e gjatë dhe e vështirë, që mori pesë vite e shtatë muaj që nga tërmeti i 2019.
“Për ne është emocion i veçantë që ju merrni banesën, por ne kemi mbajtur barrën e madhe të punës dhe peshën e procesit për të cilin është bërë një ligj i veçantë që kur ra tërmeti. Falënderoj donatorët që bënë të mundur që ky financim të jepej, Qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin. Ka qenë periudhë e vështirë edhe për ne si bashki, ndërsa Kastrati Group dha një donacion prej 3000 metra katrorë”, tha Sako.
Sipas Sakos, në këtë proces mund të ketë pasur edhe familje që kanë mbetur të pakënaqura dhe mungesë dakordësie për zgjedhjen e katit, por në fund përmes shortit u finalizua procesi për dorëzimin e çelësave të apartamenteve të reja.
“Pas çelësave, do vijojmë punën me pjesën teknike. Ndërtuesit e kanë dorëzuar komplet projektin e përfunduar në bashki, edhe me kolaudimin. Sot, kur të shkoni në shtëpitë tuaja, dritat janë të vendosura, uji është i lidhur, do bëni rinovimin e kontratës me OSHEE-në etj. Ne do të marrim kohën e nevojshme për të arreduar shtëpitë për secilin prej jush”, përfundoi Sako.
/e.i//r.e/j.p/