Maturantët flasin pas përfundimit të provimit të lëndës me zgjedhje

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Mbi 27 mijë maturantë në të gjithë vendin zhvilluan sot provimin e fundit të Maturës Shtetërore atë të lëndës me zgjedhje.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu përcolli në rrjetet sociale mesazhet e disa prej maturantëve në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, të cilët pas përfundimit të provimit folën për emocionet, nivelin e vështirësisë së testit, administrimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit.
“Maturantët ndajnë përjetimet e tyre pas përfundimit të provimit të lëndëve me zgjedhje, provimi i fundit i Maturës Shtetërore 2025”, tha Manastirliu.
“Provimi ishte i nivelit mesatar dhe mendoj se kam dalë shumë mirë”, tha një nxënëse.
Një tjetër nxënëse u shpreh se “ushtrimet ishin në nivele të ndryshme, të cilat i kemi punuar më mësuesit gjatë orëve të mësimit dhe në konsultime”.
“Unë kisha zgjedhur lëndën e biologjisë, provimi ishte i nivelit mesatar. Kisha shumë emocione sepse ishte provimi i fundit, por më në fund ia dolëm”, tha një tjetër nxënëse.
Një nxënëse u shpreh se “kam zgjedhur biologjinë, mendoj se isha më e aftë në atë lëndë. Testi kishte të gjitha ushtrimet nga nivelet e ndryshme për këtë vit shkollor”.
Pas provimit të gjuhës së huaj më 10 qershor, të gjuhës shqipe dhe letërsisë më 18 qershor, të matematikës më 24 qershor, maturantët zhvilluan sot provimin e fundit, atë të lëndës me zgjedhje. /k.s/j.p/