MEDIA - 50 vite që monumenti i gazetarisë amerikane të përkthehej në frëngjisht? - ATSH -
PARIS, 1 nëntor /ATSH-AFP/ – Pesëdhjetë vite botimit të saj në SHBA, një biografi monumentale e planifikuesit urban Robert Moses, i cili formësoi Nju Jorkun, po botohet në frëngjisht, një veprim i guximshëm botues që i bën homazh gazetarisë investigative amerikane.
Shtëpia botuese pariziane ”Le Cherche-Midi” ka ruajtur titullin në anglisht, “The Power Broker”, për këtë biografi, të cilën gazetari Robert A. Caro kaloi shtatë vjet duke e shkruar para botimit të saj në vitin 1974.
Ky libër me gati 1 300 faqe, që peshon gati dy kilogramë, fitues i çmimit prestigjioz ”Pulitzer”, është një klasik absolut i letërsisë amerikane që ripërcaktoi zhanrin e letërsisë jofiktive”, thekson botuesi.
I botuar për herë të parë në një gjuhë tjetër përveç anglishtes, “The Power Broker” ka një tirazh prej 7 000 kopjesh, një numër i konsiderueshëm për një biografi kaq ambicioze.
Robert Caro, i frymëzuar nga Homeri, rrëfen jetën e Robert Moses, i cili, midis viteve 1930 dhe 1970, riformësoi zonën metropolitane të Nju Jorkut duke zhvilluar autostrada dhe duke shembur lagje të tëra për të nisur projekte masive të pasurive të paluajtshme.
Ndonjëherë krahasuar me Baron Haussmann, i cili ndryshoi fytyrën e Parisit në shekullin XIX, “Moses ndërtoi një perandori dhe jetoi si një perandor”, sipas autorit.
“The Power Broker’ është para së gjithash një biografi e pushtetit”, përmbledh shkrimtari Daniel Mendelsohn në parathënien e librit.
Ai “gjurmon me detaje të përpikta se si Moses mësoi se ku dhe si të merrte pushtetin” dhe “pothuajse në mënyrë të pashmangshme, se si një pushtet i tillë do ta korruptonte atë në fund të fundit”.
Ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama pranoi se ishte “i magjepsur” kur lexoi këtë libër në moshën 22 vjeç, një libër që “formësoi të gjithë vizionin e tij për politikën”.
Tani në moshën 90-vjeçare, Robert Caro po përfundon një biografi shumëvëllimëshe të ish-Presidentit të SHBA-së, Lyndon Johnson./ a.jor.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
