MEDIA – AMAN zhvillon Asamblenë e Përgjithshme me temë “Futbolli dhe media në Mesdhe – Ndërtimi i urave përtej kufijve”

MARRAKESH (Marok), 28 maj /ATSH/ – Asambleja e 33-të e Përgjithshme e Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN), ku ATSH është anëtare me të drejta të plota, filloi sot në Marrakesh, me pjesëmarrjen e drejtorëve dhe menaxherëve të përgjithshëm që përfaqësojnë agjencitë anëtare të aleancës.
Agjencia Telegrafike Shqiptare përfaqësohet në këtë asamble nga drejtoresha e përgjithshme, Valbona Zhupa dhe drejtoresha e Informacionit dhe Multimedias, Almarina Gegvataj.
Në seancën hapëse të kësaj asambleje të përgjithshme, me temë “Futbolli dhe media në Mesdhe – Ndërtimi i urave përtej kufijve”, u mbajtën fjalime nga ministri i Rinisë, Kulturës dhe Komunikimit, Mohamed Mehdi Bensaid dhe presidenti i Federatës Mbretërore Marokene të Futbollit (FRMF) dhe “Komitetit të Kupës së Botës 2030”, Fouzi Lekjaa.
Axhenda e Asamblesë së 33-të të Përgjithshme të AMAN, të cilën MAP e kryeson për një vit, përfshiu një diskutim në panel me temën “Kupa e Botës FIFA 2030: Sfidat dhe Roli i Agjencive Mesdhetare të Lajmeve”, të udhëhequr nga aktorë kryesorë nga bota e futbollit dhe medias.
“Organizimi i Kupës së Botës 2030 përfaqëson një mjet për transformime të mëdha shoqërore, ekonomike dhe mjedisore për Marokun, të nxitura nga një vizion mbretëror i guximshëm dhe gjithëpërfshirës”, tha sot Fouad Arif, drejtor i përgjithshëm i MAP dhe president i Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN).
“Kjo është hera e parë që një ngjarje sportive me një përmasë kaq globale do të bashkojë kultura dhe histori të ndryshme rreth një pasioni të përbashkët, futbollit”, shtoi ai.
Duke iu referuar temës së kësaj Asambleje, Arif tha se ajo pasqyronte me të drejtë bindjen e thellë se futbolli, ashtu si media, kanë një fuqinë unike për të bashkuar njerëzit, për të stimuluar ekonomitë, për të shembur kufijtë dhe për të vizatuar një hartë më humane të Mesdheut përmes një narrative të përbashkët dhe kolektive.
“Por përtej ngjarjes sportive, shfaqet një mundësi më e madhe, forcimi i bashkëpunimit midis agjencive tona të lajmeve dhe ndërtimi i një komuniteti të integruar mediatik mesdhetar, bazuar në mbulimin mediatik që respekton diversitetin dhe është i rrënjosur në vlera të përbashkëta”, theksoi presidenti i AMAN.
Në panel foli edhe trajneri i ekipit kombëtar të futbollit të Marokut, Walid Regraghi, i cili theksoi identitetin e veçantë të ekipit maroken, që përbëhet kryesisht nga lojtarë nga diaspora.
“Ne jemi ndoshta i vetmi ekip në botë që ka lojtarë nga kultura dhe vende të ndryshme të ndryshme, por me një bazë të përbashkët – Maroku”, tha ai.
”Nga Spanja, Franca, Holanda, Belgjika, Norvegjia dhe Italia, kjo përbërje shumëkulturore është njëkohësisht një sfidë dhe një burim force të jashtëzakonshme. Ky diversitet nuk vjen pa vështirësi. Duhet t’i bashkosh lojtarët në një kohë të shkurtër, në mënyrë që ata të flasin të njëjtën ‘gjuhë’, të kuptojnë njëri-tjetrin kulturalisht”, shpjegoi ai.
”Kultura marokeno-spanjolle nuk është e njëjtë me atë marokeno-italiane ose marokeno-gjermane. Megjithatë, përmes këtij diversiteti, shfaqet një identitet i përbashkët – dhe bashkë me të, një mesazh më i thellë”, tha Regraghi.
Ajo që ka më shumë rëndësi është që ne ndajmë vlera dhe japim një imazh të mirë të vendit tonë. Ne jetojmë së bashku, çdo ditë duke e ditur se përfaqësojmë një vend që është i çmuar për ne dhe është në zemrat tona”, theksoi ai.
”Çfarë mund të jetë më e bukur sesa të tregosh se tre vende nga dy kontinente të ndryshme mund të organizojnë një Kupë Bote të përbashkët me vlera të përbashkëta? Pavarësisht dallimeve të kontinenteve, ne kemi një lidhje të përbashkët, që është kultura mesdhetare – emocionet, kuzhina, vlerat”, theksoi Regraghi.
Një ceremoni çmimesh nga AMAN-i për artikujt dhe fotot më të mira të shtypit është planifikuar gjithashtu për ditën e dytë të kësaj Asambleje të Përgjithshme.
E themeluar në vitin 1991, AMAN bashkon agjencitë e lajmeve nga pellgu i Mesdheut, përveç anëtarëve vëzhgues, përfshirë Federatën Atlantike të Agjencive Afrikane të Shtypit (FAAPA).
Qëllimi i AMAN është të forcojë shkëmbimin e informacionit, dialogun dhe bashkëpunimin midis agjencive të lajmeve të Mesdheut./ a.jor.