BERLIN – Merz: Do të rrisim mbështetjen pa kufizime për Kievin

KIEV, 28 maj /ATSH-ANSA/ – Gjermania do të vazhdojë të ofrojë dhe të rrisë mbështetjen e saj ushtarake për ukrainasit, deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz, në një konferencë për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Nuk do të ketë kufizime dhe ukrainasit do të jenë në gjendje të mbrojnë veten”, sqaroi Merz.
”Ne do të vazhdojmë të rrisim presionin mbi Moskën. Po e bëjmë këtë edhe për të hapur rrugën për negociata”, shtoi ai.
Rusia kritikoi ashpër Gjermaninë, pasi kancelari Friedrich Merz sugjeroi që Ukraina tani mund të përdorë armë me rreze më të gjatë veprimi në mbrojtjen e saj kundër Moskës.
”Këto janë vendime mjaft të rrezikshme, nëse janë marrë” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Ai iu referua një deklarate të mëparshme të Merz – i cili tha se nuk duhej të kishte më kufizime në rrezet e veprimit për armët e furnizuara në Ukrainë, as nga britanikët, as nga francezët, as nga gjermanët dhe as nga amerikanët.
Nuk është e qartë nëse deklarata e Merz përfaqëson një ndryshim, apo nëse ai po i referohej përdorimit të disa raketave perëndimore kundër territorit rus – që nga fundi i vitit të kaluar./ /os/