MEDIA – Stefano de Alessandri zgjidhet president i EANA-s

ATHINË, 27 shtator /ATSH-ANA/ – Asambleja e Përgjithshme e EANA-s zgjodhi Stefano de Alessandri, kreun e agjencisë italiane të lajmeve ANSA, si president të EANA-s për dy vitet e ardhshme.
De Alessandri ishte anëtar i bordit gjatë tre viteve të fundit dhe pason kreun e AFP.
Ndërkohë, presidenti i agjencisë greke të lajmeve, ANA, Aimilios Perdikaris, u zgjodh në bordin e drejtorëve të Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA).
Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të EANA-s të mbajtur në Athinë, ai mori 25 vota nga një total prej 26 anëtarësh të pranishëm, ndërsa dy anëtarë abstenuan nga votimi. Mandati i anëtarëve të bordit të EANA-s është tre vjet.
Alexandru Giboi, sekretari i përgjithshëm i EANA-s, mbetet në postin e tij, ndërsa Patrick Lacroix i agjencisë belge të lajmeve Belga dhe Claudia Nicolae e Agerpres të Rumanisë janë gjithashtu anëtarë të bordit.
Përveç kësaj, Asambleja e Përgjithshme miratoi unanimisht Sofia Papadopoulou, anëtare e ANA-s, për pozicionin e kryetares së Komitetit të Barazisë dhe Përfshirjes.
Perdikaris do të pasohet si kryetar i Komitetit të Agjencive Publike të Lajmeve nga Paweł Kostrzewa nga agjencia polake PAP.
Për më tepër, anëtarësimi në agjencinë e lajmeve Leta të Letonisë u miratua me 25 vota pro, ndërsa bordi i dha gjithashtu çmimin vjetor të inovacionit agjencisë norvegjeze, NTB.
Çmimi u krijua në kujtim të ish-drejtorit të BTA-së, Maxim Minchev dhe aplikacioni fitues i çmimit NTB përfshin njohjen automatike të fytyrave në foto dhe video duke përdorur inteligjencën artificiale dhe futjen e tyre në sistemet e agjencive të lajmeve për shpërndarje në kohë reale.
Në një deklaratë pas takimit, Perdikaris tha se “është një nder i madh të zgjidhem në Bordin e Drejtorëve të EANA-s, dhe jam mirënjohës për besimin dhe mbështetjen e kolegëve të mi nga e gjithë Evropa”.
“Ky vendim nuk është thjesht një njohje personale apo shpërblim për punën time gjatë viteve të fundit. Mbi të gjitha, është një votë besimi ndaj ANA-s dhe punës së të gjithë punonjësve në mënyrë që të bëhet një agjenci lajmesh rajonale e fuqishme dhe të luajë një rol udhëheqës në peizazhin mediatik”, shtoi ai.
Në komentet rreth përzgjedhjes së saj, Papadopoulou tha se “barazia dhe përfshirja nuk janë ideale abstrakte, por vlera themelore për gazetarinë dhe për shoqërinë së cilës i përkasim. Në këtë kontekst, ne do të punojmë si ekip për të siguruar që redaksitë e agjencive të lajmeve pasqyrojnë diversitetin e komuniteteve tona dhe që këto çështje të jenë lart në agjendën gazetareske.”
Nga ana e tij, presidenti i ri i EANA-s vuri në dukje se do të punojë së bashku me drejtuesit e agjencive për të përmirësuar rolin e tyre në nivel evropian dhe veçanërisht për të siguruar pozicionin e tyre në peizazhin e ri mediatik të formësuar nga zhvillimet teknologjike.
De Alessandri iu referua konflikteve të armatosura në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme dhe tha se ”megjithëse kohërat janë jashtëzakonisht të vështira për gazetarët, mbetem optimist se pengesat dhe vështirësitë do të kapërcehen me bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen aktive të të gjitha agjencive të lajmeve”./ a.jor.