E Martë, 3 Nëntor 2026

MEKI: Ish-Uzina e Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve asnjë lidhje me pasuritë e KAYO sh.a., detyrime të pashlyera mbi 2 milionë euro

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Në vijim të deklaratës publike lidhur me pasuritë shtetërore pranë ish-Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve dhe në përgjigje të interesit për sqarimin e dallimit mes pronave të shoqërisë Kayo sh.a. dhe pasurisë nr. 10/304, të pretenduar nga shoqëria Panaroma Group sh.a., Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) bën të ditur sot se këto pasuri nuk kanë asnjë lidhje juridike apo faktike mes tyre.

MEKI bën të ditur se pasuria me nr. kadastral 10/304 (në administrim të Ndërmarrjes Industriale Nr. 1) është çështje e veçantë, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasuritë e kaluara shoqërisë Kayo sh.a. me VKM nr. 158, datë 12.3.2025.

Për pasurinë 10/304, me sipërfaqe 13,922 m2, subjekti qiramarrës ka mosshlyerje të detyrimeve prej muajit shkurt 2017. Sipas akteve financiare të dosjes administrative, detyrimi i pashlyer i faturuar deri në shtator 2021 arrin në shumën 88,305,280 lekë (qira) dhe 2,562,310 lekë (kamatëvonesa).

Meqenëse pagesat nuk kanë vijuar pas kësaj date, detyrimet vijojnë të rriten dhe aktualisht përllogariten mbi 2 milionë euro.

MEKI thekson se shuma përfundimtare do të formalizohet pas rifreskimit të llogaritjeve.

Që në vitin 2021, sipas MEKI-t, palës i është njoftuar zyrtarisht ndërprerja e kontratës për shkak të këtyre detyrimeve të papaguara.

Megjithatë, bën të ditur MEKI, në vend që të përmbushte detyrimet dhe të dorëzonte pasurinë, subjekti ka ndërmarrë masa sigurimi dhe padi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimeve të kontratës, duke vijuar të përdorë prej vitesh pa kundërshpërblim një pasuri publike.

Kjo sjellje, thekson MEKI, është e padrejtë dhe e paligjshme, duke cenuar parimin e trajtimit të barabartë dhe duke ngarkuar barrë të padrejtë mbi taksapaguesit, po ashtu edhe mbi punonjësit që përgjigjen para ligjit për ndjekjen, monitorimin dhe respektimin e kontratave.

“MEKI vepron me kujdes institucional dhe respekt të plotë për lirinë e medias dhe të shprehjes. Por këto të drejta nuk mund të përdoren si justifikim ose si mekanizëm për të gëzuar padrejtësisht pronën publike dhe për të shmangur shlyerjen e detyrimeve kontraktuale. Trajtimi i barabartë i të gjitha subjekteve ekonomike, qofshin këto edhe media, është parim themelor: është e padrejtë ndaj çdo aktiviteti të njëjtë që paguan taksa dhe qira në kohë, që disa të tjera të përfitojnë nga kontrata publike të dhëna në mirëbesim pa shlyer dhe pa respektuar detyrimet”, thuhet në deklaratën e MEKI-t.

MEKI siguron se do të vijojë verifikimet proceduriale dhe do të ndërmarrë masat administrative dhe ligjore sipas kuadrit ligjor në fuqi për zbatimin e obligimeve të detyrueshme të menaxhimit financiar dhe garantimit të administrimit efektiv të pasurisë shtetërore në fjalë dhe arkëtimin e plotë të detyrimeve në interes të qytetarëve dhe taksapaguesve.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›