E Martë, 3 Nëntor 2026

Vengu: Pesë mjete ajrore pritet të mbërrijnë për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Vendi po përballet me një situatë të rënduar zjarresh, ndërsa autoritetet janë angazhuar maksimalisht në terren për të mbrojtur zonat e banuara dhe për të krijuar perimetër sigurie rreth vatrave më problematike.

Që nga mëngjesi i sotëm janë evidentuar gjithsej 21 vatra zjarri, nga të cilat 7 janë shuar dhe 14 vijojnë të jenë aktive.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur se Forcat e Armatosura, shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e Policisë po punojnë në mënyrë të koordinuar për të siguruar kontrollin e plotë dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.

“Mbështetja nga ajri ka qenë vendimtare, me avionin Canadair të ardhur nga Kroacia që ka operuar në zonat më të prekura si Krane e Finiqit dhe Lukovë e Himarës, ndërsa ekuipazhet e Bazës Ajrore Farkë kanë ndërhyrë në Ballaj dhe Zhabjak të Rrogozhinës, si dhe aktualisht në Poliçan, ku flakët nuk përbëjnë rrezik për ish-Kombinatin Mekanik”, u shpreh Vengu.

Ndërhyrjet ajrore dhe operacionet nga toka, theksoi ai, kanë ulur ndjeshëm rrezikun për banorët dhe pasuritë e tyre, por situata vijon të jetë dinamike për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta që mbeten të pranishme në mbarë vendin.

Për të përforcuar kapacitetet në terren, ministri Vengu theksoi se gjatë orëve në vijim pritet t’u bashkohen forcave operacionale edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, një avion “Canadair” nga Greqia dhe dy helikopterë të mekanizmit evropian të mbrojtjes civile nga Çekia dhe Sllovakia, të cilët do të dislokohen që sonte në Rinas dhe Bazën Ajrore të Kuçovës.

Paralelisht, Komiteti Shtetëror i Emergjencave Civile ka urdhëruar rritjen e gatishmërisë së bashkive në nivel maksimal në të gjithë territorin, ndërsa forcat operacionale janë të pranishme në çdo vatër që paraqet rrezik dhe po vijojnë përpjekjet për të mbajtur situatën nën kontroll.

1 nga 12

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›