E Diel, 1 Nëntor 2026

MEKSIKË – Sheinbaum: FIFA në një mision për të vlerësuar sigurinë për Botërorin 2026

MEKSIKO SITI, 27 shkurt /ATSH-AFP/ – FIFA do të dërgojë një mision në Meksikë për të vlerësuar disa çështje të ndjeshme, përfshirë sigurinë, përpara ndeshjeve të Kupës së Botës 2026 që do të zhvillohen në vend, njoftoi sot presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum.

Presidentja specifikoi se kishte folur dje me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

Pas kësaj, Infantino riafirmoi në Instagram “besimin e tij të plotë në vendin pritës” pasi një valë dhune në Meksikë e lidhur me vdekjen e një bosi të fuqishëm droge rigjallëroi shqetësimet për sigurinë.

”Gianni Infantino më siguroi se Kupa e Botës do të mbahej në vendin tonë dhe ne ramë dakord që një ekip i FIFA-s do të vinte gjithsesi për të shqyrtuar disa çështje”, tha presidentja.

Sheinbaum specifikoi se misioni i FIFA-s do të përqendrohej në veçanti në çështjet e trafikut dhe transportit për tifozët e futbollit.

Qyteti i Guadalaharës do të presë katër ndeshje të Kupës së Botës 2026 në qershor, të cilën Meksika po e bashkëprezanton me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.

Meksika, së bashku me qytetin verilindor të Monterreit, do të presë gjithashtu ndeshjet eliminatore muajin e ardhshëm për të përcaktuar dy ekipet e fundit nga 48 ekipet e kualifikuara për Kupën e Botës.

Meksika është përfshirë nga një valë dhune që nga vdekja e bosit të drogës Nemesio Oseguera, i njohur ndryshe si “El Mencho”, gjatë një operacioni ushtarak të dielën e kaluar në shtetin e Jaliscos.

“El Mencho” udhëhoqi Kartelin e Gjeneratës së Re të Jaliscos (CJNG)./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›