E Diel, 1 Nëntor 2026

MEPJ përshëndet listën e përbashkët të partive shqiptare në zgjedhjet në Serbi

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përshëndeti sot arritjen e marrëveshjes për paraqitjen e një liste të përbashkët të partive dhe subjekteve politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026 në Serbi.

MEPJ përgëzon të gjithë faktorët politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës për përgjegjshmërinë, pjekurinë politike dhe vizionin që dëshmuan me këtë vendim.

Sipas MEPJ-së, ky veprim përcjell një mesazh të qartë: interesat e shqiptarëve mbrohen më mirë kur përfaqësimi i tyre politik është i bashkuar, i koordinuar dhe i vendosur.

“Përfaqësimi dinjitoz dhe efektiv në institucionet e vendit ku jetojnë kërkon unitet, përgjegjësi dhe një qëndrim të përbashkët për çështjet që prekin drejtpërdrejt të drejtat, mirëqenien dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, thekson MEPJ.

MEPJ shton se, kjo listë e përbashkët duhet të shërbejë si dëshmi se kur bashkohet zëri politik, forcohet përfaqësimi; dhe kur forcohet përfaqësimi, mbrohen më mirë interesat e qytetarëve dhe rritet pesha e tyre në proceset vendimmarrëse.

“Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfaqësimin e tyre të drejtë, barazinë e plotë para ligjit, si dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të komunitetit shqiptar”, nënvizon MEPJ.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›