Zyra e Komisionerit apelon për respektimin e jetës private dhe mbrojtjen e të dhënave personale

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale reagoi sot lidhur me publikimet e fundit në media dhe rrjete sociale të materialeve të pretenduara intime.
Zyra e Komisionerit u bën thirrje medieve, portaleve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të respektojnë jetën private dhe dinjitetin e çdo individi.
“Ligji ‘Për mbrojtjen e të dhënave personale’ ndalon përpunimin e këtyre përmbajtjeve. Gjithashtu, publikimi dhe shpërndarja e tyre është e ndaluar. Të qënit figurë publike nuk përbën heqje dorë nga e drejta për jetë private. Kurioziteti për jetën intime të një individi nuk mjafton për të justifikuar publikimin e saj si çështje me interes publik”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Zyra e Komisionerit shprehet se liria e shprehjes dhe e informimit duhet të ushtrohet duke respektuar kushtet e ligjit, përfshirë domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe mbrojtjen e thelbit të të drejtave themelore.
“Fakti që një material qarkullon në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin e tij. Çdo rishpërndarje mund të shtojë ekspozimin dhe dëmin ndaj personave të prekur dhe familjeve të tyre. Çdokush që përpunon në mënyrë të paligjshme të dhëna personale është subjekt i masave administrative dhe penale”, vijon njoftimi për shtyp.
Zyra e Komisionerit bën thirrje të ndërpritet publikimi dhe rishpërndarja e materialeve intime në kundërshtim me ligjin dhe të hiqen përmbajtjet e publikuara në mënyrë të paligjshme.
/m.m/r.e/a.f/