E Diel, 1 Nëntor 2026

MIE: Qarkullim normal në të gjitha akset

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë informon se strukturat në varësi të saj janë në gatishmëri të plotë dhe në terren për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq në vend.

Sipas njoftimit zyrtar të MIE-s, prej ditës së djeshme dhe gjatë orëve të natës, reshjet e shiut të shoqëruara me temperatura të ulëta kanë përfshirë territorin e vendit, duke shkaktuar problematika të përkohshme në disa akse rrugore, kryesisht në zonat malore.

Grupet e punës me mjete borëpastruese kanë ndërhyrë për pastrimin e rrugëve nga rënia e gurëve dhe inerteve, si dhe për shpërndarjen e kripës, me qëllim shmangien e ngricave në segmentet ku ka pasur nevojë.

Problematika janë evidentuar në akset Bajram Curri–Valbonë, Ura e Bujanit–Qafë Morinë (doganë), Bajram Curri–Fierzë, Bajram Curri–Cërnicë, Sopot–Kam dhe Dushaj–Lekbibaj, ku reshjet me intensitet të lartë dhe era kanë shkaktuar rënie gurësh dhe inerte. Strukturat në terren kanë kryer pastrimin e këtyre akseve që në orët e para, njofton MIE.

Sipas MIE, qarkullimi i automjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht gjatë lëvizjes drejt zonave malore me prani dëbore, për të shmangur probleme dhe bllokime të qarkullimit.

Lidhur me situatën e furnizimit me energji elektrike, MIE bën të ditur se, në rang vendi raportohen 15 fidera jashtë pune, kryesisht në zonat veriore të vendit. Nuk paraqiten problematika në linjat 35 kV dhe në nënstacione, ndërsa institucionet e rëndësisë së veçantë furnizohen normalisht me energji elektrike.

Sa i përket rrjetit të transmetimit, aktualisht vijon të jetë e stakuar linja 400 kV Zemblak–Elbasan 2, ndërsa brigadat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defektit. Duke nisur nga ora 08:00, në gatishmëri mbahet linja 154 kV Bistricë–Myrtos. Të gjitha brigadat e sektorit të mirëmbajtjes së linjave dhe nënstacioneve janë në gatishmëri të plotë.

MIE njofton se, situata hidroenergjetike po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga KESH.

Grupet e punës janë në gatishmëri të plotë dhe po merren të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin sa më të mirë të situatës, duke pasur si prioritet kryesor sigurinë e digave.

Lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm, MIE thekon se, situata paraqitet optimale dhe pa problematika. Nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa stacionet e pompimit janë të gjitha në punë. Sistemet e trajtimit të ujërave të ndotura dhe rrjetet e kanalizimeve funksionojnë normalisht dhe deri tani nuk raportohen probleme.

Ndërsa në Portin e Durrësit, tragetet e linjës Durrës–Bari–Durrës janë ankoruar dhe operojnë sipas orareve përkatëse. Në terminalin e kontejnerëve vijon përpunimi i mallrave, por me vështirësi për shkak të erës, e cila herë pas here arrin shpejtësinë 10-15 m/s.

Në Portin e Sarandës, situata paraqitet e qetë dhe pa problematika, ndërsa linja e trageteve me Korfuzin operon rregullisht.

Gjithashtu operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” vijojnë normalisht, pa vonesa apo ndërprerje, njofton MIE.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›