E Hënë, 2 Nëntor 2026

MM: 52 vatra zjarri në 24 orët e fundit, dy ende aktive

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim në lidhje me situatën nga zjarret në vend.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 52 vatra zjarri, ndër të cilat 2 janë ende aktive, 4 vatra janë në monitorim dhe 46 janë shuar.

MM njoftoi se mbeten aktive vatrat në këto zona: Në zonën perëndimore të tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, ku ndërhyrja nuk mundëson futjen e trupave, për shkak të terrenit të thepisur dhe bimësisë shumë të dendur. Ditën e sotme vatra e zjarrit po monitorohet nga MZSH e Bashkisë.

Në fshatin Spatharë, bashkia Skrapar, ku zjarri ka rënë në një sipërfaqe kullote. Në vendngjarje ndodhen forca nga të gjitha strukturat operacionale, që po punojnë për vënien nën kontroll të vatrës.

Ndërkohë në monitorim, me qëllim shmangien e riaktivizimit janë vatrat në këto zona:

  • Në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, bashkia Pustec;
  • Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë;
  • Në fshatin Strelcë, bashkia Maliq;
  • Në fshatin Veliq, bashkia Tropojë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 52 automjete zjarrfikëse dhe 722 forca operacionale.

Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë dhe dy helikopterë nga Forcat e Armatosura, që operuan në dy zona.

Sipas informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë dhe Durrës, dhe të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit.

Për sa u përket zjarreve në pyje sot pritet nivel rreziku “i lartë” në qarqet Elbasan, Fier, Berat dhe Korçë, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rreziku “i moderuar”.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›