Tiranë, arrestohet kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare, i dënuar me 18 vjet burgim

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka arrestuar kreun e një organizate kriminale ndërkombëtare, i dënuar me 18 vjet burgim.
Policia njoftoi sot se si rezultat i një pune të mirorganziuar informative dhe operacionale, shërbimet e Seksionit të Kërkimit të Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacione Speciale dhe Kërkime, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin “Hierarkia”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi: Ilir Kociaj (Koçiaj), 59 vjeç.
Sipas policisë 59-vjeçari, u kap në flagrancë teksa tentonte të largohej me automjetin e tij, në autostradën Tiranë–Elbasan.
“Shtetasi Ilir Kociaj (Koçiaj) ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për njohjen e vendimit të Gjykatës së Firences, Itali, që e dënon atë me 18 vite burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale”, njoftoi Policia.
59-vjeçari iu dorëzua Policisë së Elbasanit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
/m.q/r.e/