MOLDAVI – Sandu paralajmëron për rrezikun e ndërhyrjes ruse përpara zgjedhjeve

KISHINEV, 30 korrik /ATSH/- Presidentja moldave, Maia Sandu tha sot se korrupsioni zgjedhor dhe financimi i paligjshëm i jashtëm nga Rusia ishin kërcënimet më të mëdha për zgjedhjet parlamentare më 28 shtator, akuza që Moska i ka mohuar, sipas “Reuters”.
Votimi mund ta bëjë Partinë e Veprimit dhe Solidaritetit të Sandu, të humbasë shumicën në asamblenë e ish-shtetit sovjetik, i cili shtrihet midis Ukrainës dhe Rumanisë.
“Federata Ruse dëshiron të kontrollojë Republikën e Moldavisë nga vjeshta e tutje dhe po përgatitet për ndërhyrje të paprecedentë në zgjedhjet e shtatorit”, tha Sandu në një konferencë për shtyp, në Kishinev.
Sandu tha se Kremlini po planifikon fushata për manipulimin e informacionit dhe sulme kibernetike, dhe protesta “të dhunshme”, ndërsa kërkon gjithashtu të shfrytëzojë strukturat tradicionale fetare.
Ajo akuzoi dy forcat kryesore të opozitës se po përfitonin nga planet e Moskës për të privuar Partinë e saj të Qendrës së Djathtë për Veprim dhe Solidaritet (PAS) nga shumica e saj parlamentare.
Sandu iu referua Ilan Shor, politikani pro-rus në arrati, i cili sipas saj po drejton një “grup kriminal” që synon të destabilizojë vendin me anë të protestave dhe “krijimit të rrjeteve të blerjes së votave”. //a.i/