SHBA – Trump nënshkruan urdhrin për zbatimin e tarifës shtesë prej 40% ndaj Brazilit

UASHINGTON, 30 korrik /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që zbaton një tarifë shtesë prej 40% ndaj Brazilit, duke e çuar shumën totale të tarifës në 50%, tha sot Shtëpia e Bardhë, sipas CNN.
Shtëpia e Bardhë përmendi politikat e fundit të Brazilit si arsye për rritjen e tarifave, duke deklaruar se administrata Trump nuk ishte dakord me to.
Trump paralajmëroi më herët se do të vendoste tarifën prej 50% ndaj Brazilit që do të hynte në fuqi më 1 gusht – në një letër që i dërgoi këtë muaj presidentit të vendit, Luiz Inacio Lula da Silva.
Në atë letër, Trump paralajmëroi se do të vendoste një tarifë të lartë nëse Brazili nuk do të përfundonte gjyqin e tij kundër ish-presidentit të krahut të djathtë, Jair Bolsonaro.
Urdhri që Trump nënshkroi sot, i cili rrit tarifën e Brazilit me 40%, akuzon qeverinë braziliane për “shkelje serioze të të drejtave të njeriut që kanë minuar shtetin e së drejtës në Brazil”.
“Në një deklaratë të veçantë presidenciale, Trump vendosi tarifa universale prej 50% ndaj importeve të produkteve gjysmë të gatshme të bakrit dhe produkteve derivate me përmbajtje intensive bakri”, tha Shtëpia e Bardhë.
Ajo e karakterizoi këtë veprim si kritik për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke thënë se Trump po i barazonte kushtet e lojës bizneseve amerikane për të mbështetur një industri të fortë vendase të bakrit.
Këto tarifa të reja do të hyjnë në fuqi më 1 gusht dhe përfshijnë përjashtime për produktet e bakrit që tashmë i nënshtrohen tarifave të presidentit për automjetet. //a.i/