MOSKË – Forcat ruse rimarrin një tjetër fshat në rajonin e Kurskut

MOSKË, 19 prill /ATSH/- Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi sot se forcat e Rusisë kanë marrë kontrollin e fshatit Oleshnya, në kufi me Ukrainën, sipas AP.
“Njësitë e grupit ushtarak “Veriu” kanë çliruar fshatin Oleshnya në rajonin e Kurskut – gjatë operacioneve sulmuese aktive”, tha ministria në një deklaratë.
AP nuk ishte në gjendje të verifikonte menjëherë pretendimin dhe nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga zyrtarët ukrainas.
Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Rusia po lufton ende për të larguar forcat ukrainase nga fshati Gornal, rreth 11 kilometr në jug të Oleshnya.
“Ushtria ruse nuk i ka larguar ende Forcat e Armatosura të Ukrainës nga Gornal … në mënyrë që të çlirojë plotësisht rajonin e Kurskut. Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar në vendbanim”, raportoi agjencia, duke cituar agjencitë e sigurisë ruse.
Ushtarët rusë dhe koreano-veriorë thuajse e kanë privuar Kievin nga një element kyç negociues – duke rimarrë pjesën më të madhe të rajonit, ku trupat ukrainase organizuan një inkursion të papritur, vitin e kaluar.
Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se Rusia kishte sulmuar me 87 dronë shpërthyes në valën e fundit të sulmeve – gjatë natës së djeshme.
Sipas forcave ukrainase, 33 prej tyre ishin interceptuar dhe 36 të tjerë ishin humbur.
“Sulmet ruse dëmtuan fermat në Odesa dhe ndezën zjarre në rajonin Sumy gjatë natës”, tha sot Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ndërkohë, tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar dy drone ukrainas gjatë natës së djeshme. //a.i/