GAZË – Sulmet ajrore izraelite shkaktojnë mbi 90 të vdekur në 48 orët e fundit

GAZË, 19 prill /ATSH/- Sulmet izraelite në Gazë kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 90 personave në 48 orët e fundit, tha sot Ministria e Shëndetësisë e Gazës, ndërsa trupat izraelite intensifikojnë sulmet për t’i bërë presion Hamasit që të lirojë pengjet dhe të çarmatoset, sipas AP.
“Mes të vdekurve përfshihen 15 persona që u vranë gjatë natës, mes tyre gra dhe fëmijë, disa prej të cilëve ishin strehuar në një zonë të caktuar humanitare”, sipas stafit të spitalit.
“Të paktën 11 persona u vranë në qytetin jugor, Khan Younis, disa prej tyre të strehuar në një tendë në zonën Mwasi – ku jetojnë qindra mijëra njerëz të zhvendosur”, tha një punonjës i spitalit. Izraeli e ka caktuar si zonë humanitare.
“Katër persona të tjerë u vranë në sulme të ndara në qytetin Rafah, duke përfshirë një nënë dhe vajzën e saj”, sipas Spitalit Evropian.
Izraeli është zotuar të intensifikojë sulmet në të gjithë Gazën dhe të pushtojë zona të mëdha sigurie brenda rripit.
Për gjashtë javë, Izraeli gjithashtu ka bllokuar Gazën, duke ndaluar aksesin e ushqimeve dhe mallrave të tjera.
“Këtë javë, grupet e ndihmës ngritën alarmin duke thënë se mijëra fëmijë janë kequshqyer dhe shumica e njerëzve mezi hanë një vakt në ditë – pasi rezervat po pakësohen”, sipas Kombeve të Bashkuara.
Lufta filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.
Shumica e pengjeve që atëherë janë liruar në marrëveshjet e armëpushimit ose marrëveshje të tjera.
“Ofensiva e Izraelit që atëherë ka vrarë mbi 51 000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve.
Lufta ka zhvendosur rreth 90% të popullsisë, ku qindra mijëra njerëz jetojnë në kampe çadrash dhe ndërtesa të bombarduara. //a.i/