SHBA – Trump kërkon fundin e programit bërthamor të Iranit, jo armëpushim

UASHINGTON, 17 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka bërë thirrje për një “fund të vërtetë” të programit bërthamor të Iranit, duke hedhur poshtë mundësinë e një armëpushimi të përkohshëm.
Duke folur me gazetarët sot në mengjes në bordin e “Air Force One” pas largimit të tij nga samiti i G7 në Kanada, Trump tha se donte të shihte “një fund të vërtetë të programit bërthamor të Iranit – dhe jo një armëpushim”.
Trump u largua papritur nga samiti në Alberta, duke përmendur si arsye, konfliktin në rritje në Lindjen e Mesme.
Trump tha në media sociale se ai nuk kishte kontaktuar me udhëheqjen në Teheran dhe hodhi poshtë raportet se po punonte për arritjen e një armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit.
“Nëse duan të bisedojnë, ata e dinë si të më kontaktojnë. Ata duhet ta kishin pranuar marrëveshjen që ishte në tryezën e bisedimeve. Do të kishte shpëtuar shumë jetë!” postoi Trump në “Truth Social” – duke iu referuar negociatave bërthamore midis administratës së tij dhe Iranit.
Raundi i gjashtë i këtyre bisedimeve ishte planifikuar të zhvillohej të dielën në Oman, por u anulua pas përshkallëzimit te konflikti midis Izraelit dhe Iranit.
Izraeli tha se fushata e tij ushtarake në Iran, tani në ditën e saj të pestë, synon të pengojë programet bërthamore dhe balistike të Iranit. //a.i/