MOSKË – Kremlini: Nuk janë planifikuar bisedime të reja të drejtpërdrejta për paqen midis Rusisë dhe Ukrainës

MOSKË, 22 maj /ATSH/- Rusia dhe Ukraina nuk kanë planifikuar bisedime të mëtejshme të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës së tyre më shumë se 3-vjeçare, tha sot zëdhënësi i Kremlinit – pothuajse një javë pas angazhimit të parë ballë për ballë midis delegacioneve të dy vendeve që nga viti 2022 – dhe disa ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se do të fillonin negociatat për armëpushim “menjëherë”, sipas AP.
“Nuk ka asnjë marrëveshje konkrete për takimet e ardhshme. Ato nuk kanë rënë ende dakord”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Pas dy orësh bisedimesh në Stamboll të premten e kaluar, Kievi dhe Moska ranë dakord të shkëmbenin secila nga 1,000 të burgosur lufte – në atë që do të ishte shkëmbimi i tyre më i madh. Përveç këtij hapi, takimi nuk solli ndonjë progres të rëndësishëm.
Disa muaj presioni të intensifikuar të SHBA-së dhe Evropës mbi të dyja palët për të pranuar një armëpushim – dhe për të negociuar një zgjidhje kanë sjellë pak përparim.
“Ndërkohë, Rusia po përgatit një ofensivë verore për të pushtuar më shumë rajone ukrainase”, thanë analistët e qeverisë ukrainase.
Putini tha më herët, se Moska do të propozonte dhe ishte gati të punonte me Ukrainën mbi një “memorandum” që përshkruante kornizën për një traktat të mundshëm paqeje në të ardhmen.
Putini në fakt ka hedhur poshtë propozimin për një armëpushim 30-ditor që Ukraina e ka pranuar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha sot se po bëheshin përgatitje për shkëmbimin e mundshëm të të burgosurve, të cilin ai e përshkroi si “ndoshta rezultatin e vetëm të vërtetë” të bisedimeve në Turqi.
Peskov kundërshtoi një raport të “Wall Street Journal” ne te cilin thuhej se Trump u kishte thene udhëheqësve evropianë pas telefonatës së tij me Putinin të hënën – se udhëheqësi rus nuk ishte i interesuar për bisedime te paqes “sepse mendonte se Rusia po fitonte”.
“Ne e dimë çfarë i tha Trump presidentit Putin, nuk e dimë çfarë u tha Trump evropianëve. Ne e dimë deklaratën zyrtare të presidentit Trump. Ajo që dimë bie ndesh me atë që është shkruar në artikullin e “Wall Street Journal”, tha Peskov. //a.i/