E Hënë, 2 Nëntor 2026

MOSKË – Kremlini: Samiti Putin-Trump mund të zhvillohet brenda dy javësh

MOSKË, 17 tetor /ATSH -DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikam Donald Trump mund të mbajnë një samit të ri brenda dy javësh, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Të dy liderët diskutuan planin përmes telefonit të enjten, me Budapestin që po konsiderohet si një vendi i mundshëm për takimin. Trump, gjithashtu, tha pas telefonatës se takimi do të ndodhë “ndoshta brenda dy javësh.”

Takimi i tyre i fundit ishte në Alaskë në gusht. Trump, i cili ka thënë shpesh se mund të përfundojë luftën midis Rusisë dhe Ukrainës në vetëm një ditë nëse kthehet në detyrë, është i etur të ndërmjetësojë një marrëveshje për të ndaluar përleshjet.

Peskov tha se takimi duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, por vuri në dukje se disa “çështje” ende duhet të zgjidhen. Ai shtoi se ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe sekretari i Shtetit amerikan Marco Rubio do të bisedojnë përmes telefonit, raporton agjencia “TASS”.

Sipas Peskov, Putin foli sot me kryeministrin hungarez Viktor Orban, i cili ofroi të presë samitin ,një propozim që Putin e pranoi. Orban mban lidhje të ngushta me të dy liderët.

Rusia pritet të kërkojë garanci sigurie për pjesëmarrjen e Putinit, pasi lideri rus mbetet nën një urdhër-arrest të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC).

Hungaria kishte njoftuar në prill planet për t’u tërhequr nga ICC, dhe parlamenti i saj miratoi vendimin në maj. Megjithatë, tërheqja hyn në fuqi vetëm një vit pas njoftimit formal, që do të thotë se Hungaria do të ishte ende ligjërisht e detyruar të arrestonte Putinin nëse ai hynte në vend.

Edhe pas tërheqjes, Hungaria do të mbetej e lidhur të bashkëpunojë me hetimet e ICC-së që janë nisur para daljes së saj, megjithëse fuqitë e zbatimit të gjykatës janë të kufizuara.

ICC akuzon Putinin për përgjegjësi në lidhje me rrëmbimin dhe deportimin e fëmijëve dhe të miturve nga territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë drejt Rusisë. Gjykata lëshoi një urdhër-arrest për të në mars 2023.

Moska i referohet transferimeve të detyrueshme të fëmijëve si “evakuime.” /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›