E Hënë, 2 Nëntor 2026

MOSKË – Putin: Trump po bën përpjekje të sinqerta për paqen

MOSKË, 14 gusht /ATSH/- Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi përpjekjet e administratës Trump për të ndaluar luftën në Ukrainë dhe la të kuptohej se Moska dhe Uashingtoni mund të arrijnë një marrëveshje mbi kontrollin e armëve bërthamore gjatë takimit të tyre nesër në Alaskë, sipas CNN.

Para se të udhëtonte për në Alaskë për t’u takuar me presidentin amerikan, Putini kryesoi një takim me zyrtarë të lartë rusë për t’i informuar ata mbi gjendjen e negociatave me SHBA-në për Ukrainën.

“Administrata aktuale amerikane… po bën përpjekje mjaft energjike dhe të sinqerta për të ndaluar armiqësitë, për të ndaluar krizën dhe për të arritur marrëveshje që janë me interes për të gjitha palët e përfshira në këtë konflikt”, tha Putin.

Në fjalimin e tij të shkurtër, Putin tha se takimi me SHBA-në synon të krijojë kushte afatgjata për paqe midis vendeve tona, si dhe në Evropë dhe në botë në tërësi.

Ai sugjeroi se kjo paqe më e gjerë mund të arrihej nëse, në fazat e ardhshme të diskutimeve me SHBA-në, arrihej një marrëveshje në fushën e kontrollit mbi armët sulmuese strategjike, duke iu referuar armëve bërthamore.

SHBA-ja dhe Rusia ranë dakord të kufizojnë arsenalet e tyre të armëve bërthamore -sipas traktatit të ri START – i cili hyri në fuqi në vitin 2011.

Sipas marrëveshjes, të dy vendet kishin shtatë vjet për të përmbushur kufizimet e përcaktuara në numrin e armëve bërthamore me rreze ndërkontinentale.

Afati i traktatit, përfundon në shkurt të vitit 2026.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›