NJU JORK – OKB: Fraksionet siriane, sulme sistematike ndaj civilëve

NJU JORK, 14 gusht /ATSH/ – Një komision i mbështetur nga OKB-ja, që hetoi dhunën sektare në bregun e Sirisë në fillim të këtij viti, zbuloi se ka pasur dhunë të përhapur dhe sistematike ndaj civilëve – nga disa fraksione të lidhura me qeverinë, por nuk u gjetën prova se kjo mund të ishte e urdhëruar nga qeveria qendrore, sipas AP-së.
Një raport i publikuar sot nga Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit për Sirinë shqyrtoi dhunën mes grupeve të armatosura të lidhura me ish-presidentin sirian Bashar Assad dhe forcave të sigurisë së qeverisë së re në mars. Më pas ajo u përshkallëzua në sulme hakmarrëse sektare dhe masakra që çuan në vrasjen e qindra civilëve nga minoriteti fetar alavit, pjesë e të cilit është edhe vetë Assad.
Aktet e dhunës ndodhën disa muaj pasi Assadi u rrëzua nga pushteti në një ofensivë të shpejtë të rebelëve në dhjetor dhe në një kohë kur sundimtarët e rinj të vendit po përpiqeshin të konsolidonin pushtetin.
Komisioni përmendi disa fraksione të lidhura me qeverinë, anëtarët e të cilave dyshohet se morën pjesë në “vrasje pa gjyq, tortura dhe trajtime çnjerëzore kryesisht ndaj popullsisë civile të fshatrave dhe lagjeve me shumicë alavite, në një mënyrë që ishte si e përhapur, ashtu edhe sistematike” gjatë dhunës bregdetare.
Megjithatë, raporti theksonte se komisioni “nuk gjeti prova për një politikë ose plan qeveritar për të kryer këto sulme”.
Po ashtu u zbulua se grupet e armatosura pro-Assad kishin kryer “akte që ka shumë gjasa të përbëjnë krime, përfshirë krime lufte” gjatë dhunës. /Ad.Ab./