E Hënë, 2 Nëntor 2026

MOSKË – Rusia dislokon rezervistë për mbrojtjen e infrastrukturës nga dronët ukrainas

MOSKË, 28 tetor /ATSH-DPA/ – Rusia ka filluar të përdorë rezervistë për mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga sulmet me dronë të Ukrainës, duke shënuar herën e parë që personel i tillë dislokohet për këtë qëllim, njoftuan sot mediat ruse.

Në rajoninn pranë  Shën Petersburgut, një njësi e ngarkuar me parandalimin e sabotimeve dhe mbrojtjen e objekteve kyçe ka nisur operacionet, sipas gazetës “Kommersant”, e cila citoi guvernatorin Aleksandër Drozdenko.

Fillimisht janë dislokuar 105 rezervistë në këtë rajon, të pajisur me armë dhe mjete për të forcuar mbrojtjen ajrore rreth porteve strategjike, objekteve energjetike dhe industrisë rajonale.

Parlamenti rus ka miratuar së fundmi një ligj që formalizon përdorimin e rezervistëve për mbrojtjen e objekteve me rëndësi strategjike.

Ukraina ka goditur në mënyrë të përsëritur depot e karburantit, rafineritë e naftës dhe infrastrukturën kritike ruse në kuadër të mbrojtjes kundër pushtimit të gjithanshëm të Moskës, që tashmë ka hyrë në vitin e katërt.

Mbrojtja ajrore ruse raporton çdo ditë shkatërrime dronësh, por dislokimi i rezervistëve nënvizon sfidat e vazhdueshme të sigurisë.

Sergei Shoigu, ish-ministri i Mbrojtjes, aktualisht sekretar i Këshillit të Sigurisë, tha sesulmet me dron janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit,  nga incidente të izoluara dy vjet më parë, tani numërohen me qindra.

Ai veçoi distriktin federal të Vollgës, ku ndodhen shumë fabrika strategjike të mbrojtjes në juglindje të Rusisë, si një nga objektivat më të goditura.

Shoigu paralajmëroi se dëmtimi i infrastrukturës, përfshirë rrjetet hekurudhore dhe ato të transportit, mund të pengojë logjistikën ushtarake për luftën në Ukrainë.

Ai shtoi se do të krijohen edhe grupe vullnetare për të mbrojtur më mirë objektet kritike, një nismë e miratuar nga presidenti Vladimir Putin. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›