E Hënë, 2 Nëntor 2026

TOKIO – Trump miraton dërgesën e parë të raketave për avionët luftarakë F-35 në Japoni

TOKIO, 28 tetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u tha sot në bordin e “USS George Washington”, në Bazën Detare Yokosuka të Japonisë se grupi i parë i raketave për avionët luftarakë F-35 të Japonisë do të mbërrinin këtë javë, duke sugjeruar se dërgesat e mbrojtjes amerikane në Tokio po kryheshin përpara afatit, sipas “Fox News”.

Deklarata e Trump erdhi gjatë një fjalimi njëorësh drejtuar trupave amerikane – si pjesë e udhëtimit të tij më të gjerë në Azi, i cili përfshinte një ndalesë në Malajzi, përpara se te vizitonte Japoninë, ku ai u takua me kryeministren e parë grua të vendit, Sanae Takaichi, dhe nënshkroi një marrëveshje të re kornizë SHBA-Japoni mbi mineralet e rralla të tokës.

Këtë javë, Trump pritet të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping.

Uashingtoni ka miratuar disa shitje të mëdha armësh në Japoni, duke përfshirë raketat e avancuara AIM-120 AMRAAM dhe AIM-9X të projektuara për avionët F-35.

Trump vlerësoi aleancën e SHBA-së me Japoninë, duke e quajtur atë një nga marrëdhëniet më të jashtëzakonshme në të gjithë botën.

Kryeministri Takaichi, tha se Japonia ishte e përkushtuar për të forcuar aftësinë e saj mbrojtëse dhe e gatshme të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Trump gjithashtu vlerësoi arritjen e niveleve rekord të tregjeve të aksioneve të Japonisë dhe SHBA-së, duke thënë se kjo ishte një shenjë se të dy vendet po bënin “diçka të drejtë”.

Vizita e Trump nënvizoi thellimin e bashkëpunimit të sigurisë të Uashingtonit me Tokion, ndërsa tensionet rajonale me Kinën dhe Korenë e Veriut vazhdojnë.

Përpara udhëtimit të tij në Azi këtë javë, Trump ka folur për një takim të mundshëm me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, megjithëse nuk janë duke u zhvilluar përgatitje konkrete. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›