MOSKË – Rusia shtrëngon rregullat për shtetasit e huaj

MOSKË, 1 korrik /ATSH-DPA/- Rusia ka ndërprerë aksesin në telefonat celularë për të huajt – që nuk i kanë paraqitur qeverisë të dhënat biometrike, thanë sot autoritetet në Moskë.
Ministria e Zhvillimit Digjital, Komunikimeve dhe Medias Masive tha se masa synon të luftojë mashtrimin dhe përdorimin e kartave SIM të paregjistruara ose të ashtuquajtura “gri”.
Shtetasve të huaj u është kërkuar të regjistrohen në sistemin e unifikuar biometrik të Rusisë deri të martën.
Ata që nuk e bëjnë këtë – do t’u çaktivizohet gradualisht lidhja e tyre “mobile” nga ofruesit e telekomunikacionit. Rregullorja nuk zbatohet për qytetarët rusë.
Marrja e një karte SIM është bërë dukshëm më e vështirë për shtetasit e huaj që nga fillimi i vitit.
Aplikuesit duhet të regjistrohen përmes një portali shtetëror, të aplikojnë për një numër sigurimi pensioni, të paraqesin të dhëna biometrike duke përfshirë një fotografi dhe mostër zëri – dhe të japin numrin e identifikimit të pajisjes së telefonit celular në të cilin do të përdoret karta SIM.
Të huajt janë gjithashtu të kufizuar në një maksimum prej 10 kartash SIM.
Politika synon të shtrëngojë kontrollin mbi të sapoardhurit.
Rusia ka vendosur tashmë kërkesa më të rrepta hyrjeje për punonjësit emigrantë nga disa vende të Azisë Qendrore. //a.i/