E Hënë, 2 Nëntor 2026

MUZIKË – Pianisti amerikan Eric Lu fiton ”Konkursin e Pianos Chopin”

VARSHAVË, 21 tetor /ATSH-DPA/- Pianisti amerikan Eric Lu shpallet fitues i Konkursit të 19-të Ndërkombëtar të Pianos Chopin, njoftoi sot juria e konkursit prestigjioz.

Vendimi për dhënien e çmimit të parë 27-vjeçarit erdhi pas diskutimeve të gjata në Filarmoninë e Varshavës.

Fitorja e një prej konkurseve më prestigjioze dhe më të vjetra të pianos në botë i sjell artistit të ri një çmim prej 60 000 eurosh. Vendi i dytë iu dha kanadezit Kevin Chen, ndërsa vendi i tretë i shkoi pianistit kinez Zitong Wang.

Konkursi i këtij viti shënoi një numër rekord pjesëmarrjesh me 640 pianiste, thanë organizatorët në një njoftim për shtyp.

Grupi më i madh erdhi nga Kina, me 28 pianistë që garuan. Polonia dhe Japonia kishin nga 13 pjesëmarrës secila, pesë pianistë nga Kanadaja dhe katër nga Shtetet e Bashkuara.

Promovimi i talenteve të reja

Konkursi Chopin, i mbajtur për herë të parë në vitin 1927, zhvillohet vetëm një herë në pesë vjet. Është një nga të paktat konkurse muzikore ku interpretohen vetëm veprat e një kompozitori të vetëm.

Konkursi është i rëndësishëm sepse promovon talentet e reja dhe u jep pianistëve të moshës 16 deri në 30 vjeç mundësinë për t’u njohur ndërkombëtarisht.

“Unë besoj se ky konkurs do të jetë një trampolinë për karrierën e të gjithë fituesve të çmimeve”, tha Ministrja e Kulturës Marta Cienkowska.

Chopin lindi në vitin 1810 në Żelazowa Wola, në perëndim të Varshavës, dhe jetoi në Paris nga viti 1831 deri në vdekjen e tij në vitin 1849. Ai mbetet një nga kompozitorët më të njohur të muzikës për piano.  /os/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›