MV – Mickoski: Për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe duhet të respektohen Kushtetuta dhe ligjet

SHKUP, 7 prill /ATSH-MIA/ – Kërkesat janë një gjë, ndërsa Kushtetuta dhe standardet ndërkombëtare një çështje tjetër dhe ne duhet të sillemi në përputhje me rrethanat dhe, nëse me të vërtetë duhet të sillemi në mënyrë evropiane, atëherë duhet të respektojmë si Kushtetutën ashtu edhe standardet ndërkombëtare, tha sot kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski në lidhje me kërkesat e studentëve shqiptarë për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Kryeministri po ashtu theksoi se në protestën e djeshme janë parë liderë të partive opozitare shqiptare për të cilën janë informuar aleatët e NATO-s.
“Fakt është se ligji që është miratuar, siç është Ligji për përdorimin e gjuhëve është kontestuar para Gjykatës Kushtetuese, pikërisht në pjesën e shtetit të së drejtës dhe gjyqësorit, dhe është fakt se kemi mendim negativ nga Komisioni i Venecias në lidhje me dygjuhësinë në gjyqësor”, deklaroi ai.
”Së pari, nuk kemi resurse të mjaftueshme për ta zbatuar atë, dhe së dyti nuk garantohet shteti i së drejtës ose pabarazia në të. Prandaj, ata rekomandojnë fuqishëm të kthehemi te ligjin për gjuhët nga viti 2008-2009. Njëkohësisht, është fakt se studentët që studiojnë në Fakultetin Juridik në gjuhën e tyre amtare, në këtë rast gjuhën shqipe, kanë të drejtë ta bëjnë këtë dhe janë pjesë e sistemit arsimor maqedonas”, tha Mickoski.
Kryeministri i cili vizitoi sot komunën e Aerodromit në Shkup, tha se është formuar komision i ekspertëve të kushtetueses për të gjetur zgjidhje që është në përputhje me kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.
“Është gjithashtu fakt se dje pamë një numër të madh aktivistësh dhe zyrtarë të opozitës që ishin në protestë dhe i dhanë asaj konotacion politik. Ne për këtë i informuam aleatët tanë në NATO dhe brenda BE-së, si një tentim i opozitës në një mënyrë që të shkaktojë destabilizim dhe mendoj se kjo nuk hasi në mirëkuptim nga përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Mickoski./ a.jor.