MYNIH – Merz: SHBA dhe Evropa të riparojnë dhe ringjallin aleancën transatlantike

MYNIH, 13 shkurt /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi sot se mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës është krijuar një çarje, por u bëri thirrje të dyja palëve që ta riparojnë dhe ringjallin partneritetin.
Fjalimi i tij hapi punimet e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku politika e jashtme e paqëndrueshme e presidentit amerikan Donald Trump duket se dominon agjendën.
Merz tha se rendi i vjetër ndërkombëtar i bazuar në rregulla “nuk ekziston më” dhe i ka lënë vendin një epoke shumë më të pasigurt, të përcaktuar nga politika e fuqive të mëdha dhe interesat kombëtare.
Ai e cilësoi luftën e Rusisë në Ukrainë si “shprehjen më të dukshme” të kësaj realiteti të ri, ndërsa akuzoi Kinën se po shfrytëzon varësitë dhe po riformëson sistemin ndërkombëtar sipas interesave të saj.
“Nëse pati një moment unipolar pas rënies së Murit të Berlinit, ai ka mbaruar prej kohësh”, tha Merz, duke shtuar se pretendimi i SHBA-së për lidership është vënë në pikëpyetje, “ndoshta edhe i humbur”.
Ai bëri një dallim të qartë mes drejtimit politik të Evropës dhe zhvillimeve në SHBA nën administratën e presidentit Trump, duke theksuar se “lufta kulturore e lëvizjes MAGA nuk është e jona”, duke kundërshtuar tarifat dhe politikat proteksioniste dhe duke riafirmuar mbështetjen për institucionet ndërkombëtare dhe marrëveshjet klimatike.
Megjithatë, Merz theksoi se marrëdhënia SHBA-Evropë është nën presion të madh, por jo e pashpresë.
Duke iu drejtuar në anglisht “miqve tanë amerikanë”, ai deklaroi se në epokën e rivalitetit mes fuqive të mëdha, edhe SHBA-ja nuk do të jetë mjaftueshëm e fortë për të vepruar e vetme.
“Të jesh pjesë e NATO-s nuk është vetëm avantazh konkurrues për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara. Le ta riparojmë dhe ringjallim së bashku besimin transatlantik”, u shpreh ai.
Kancelari paralajmëroi se Evropa duhet të përshtatet me një botë ku aleancat tradicionale nuk mund të merren më si të mirëqena. Kriza e fundit e nxitur nga tentativa e Trump për të përvetësuar Groenlandën ka tronditur NATO-n, ndërsa kërcënimet për tarifa dhe mosmarrëveshjet mbi vlerat demokratike kanë thelluar ndarjet.
Ai shtoi se Gjermania do të forcojë partneritete të reja për të reduktuar varësinë nga Kina dhe SHBA-ja, duke përmendur Kanadanë, Japoninë, Turqinë, Indinë dhe Brazilin si partnerë kyç.
Në sfondin e debatit mbi arkitekturën e sigurisë evropiane, Merz njoftoi se ka nisur bisedime konfidenciale me presidentin francez Emmanuel Macron për një parandalim bërthamor evropian.
Ai theksoi se çdo ombrellë bërthamore evropiane do të mbetet e integruar ngushtë në rolin ekzistues të Gjermanisë brenda marrëveshjeve të NATO-s dhe nuk do ta zëvendësojë aleancën. Gjermania mbetet e detyruar nga Marrëveshja “Dy Plus Katër” e vitit 1990, që e ndalon prodhimin dhe posedimin e armëve bërthamore.
Bisedimet në Mynih, ku marrin pjesë mbi 60 liderë botërorë, do të fokusohen gjithashtu në luftën në Ukrainë dhe në tensionet me Iranin.
Mes pjesëmarrësve janë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidenti francez Macron, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri polak Donald Tusk, si dhe rreth 100 ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes. /Ad.Ab./ a.jor.