MYNIH – Zelensky: SHBA-ja këmbëngul që Ukraina të bëjë lëshime, por jo Rusia

MYNIH, 14 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i është drejtuar sot Konferencës së Sigurisë në Mynih, ndërsa Uashingtoni rrit presionin mbi Kievin dhe Moskën për t’i dhënë fund luftës që ka vazhduar prej katër vitesh, sipas “France24”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, më herët u përpoq të qetësonte aleatët evropianë të shqetësuar, duke thënë se “SHBA-ja dhe Evropa i përkisnin njëra-tjetrës”.
Udhëheqësi ukrainas dënoi sulmet e pamëshirshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit – që i kanë lënë civilët ukrainas të përballen me të ftohtin e acartë të dimrit pa ngrohje.
“Asnjë central në Ukrainë nuk ka mbetur i padëmtuar nga sulmet ruse”, tha Zelensky në Mynih.
Ukraina do të prodhojë mjaftueshëm dronë për të interceptuar dronët “Shahed”
“Vetëm në janar, Ukrainës i është dashur të mbrohet kundër 6000 dronëve sulmues, shumica e të cilëve ishin dronë “Shahid”, tha Zelensky.
“Ukraiana do të prodhojë mjaftueshëm dronë interceptorë për t’i bërë “Shahed-ët” “të pavlerë”, tha presidenti ukrainas.
“Regjimi iranian ka bërë tashmë dhe mund të bëjë ende më shumë dëm sesa shumë regjime të tjera mund të bënin në nje shekull. (…) Ata duhet të ndalen menjëherë”, shtoi ai
Rusia po humbet 156 ushtarë për çdo kilometër katror të tokës ukrainase
“Ushtria ruse po humbet 156 ushtarë për çdo kilometër katror të tokës ukrainase që pushton”, tha udhëheqësi ukrainas.
“Presidenti rus, Vladimir Putin nuk është i shqetësuar për këtë tani, por ekziston një nivel në të cilin ai do të fillojë të shqetësohet”, shtoi Zelenksy, duke e përshkruar udhëheqësin rus si një “skllav të luftës”.
SHBA-ja këmbëngul që Ukraina të bëjë lëshime, por jo Rusia
Zelensky kritikoi ashpër faktin se armët po ndërtoheshin më shpejt se përpjekjet politike për t’i dhënë fund pushtimit rus.
“Armët evoluojnë më shpejt se vendimet politike që synojnë t’i ndalojnë ato”, tha sot Zelensky në Konferencën e Sigurisë, në Mynih.
“Amerikanët shpesh kthehen te tema e lëshimeve territoriale, të cilat shumë shpesh diskutohen në kontekstin e Ukrainës, jo të Rusisë”, tha lideri ukrainas duke kritikuar bisedimet e udhëhequra nga SHBA-ja.
Ai gjithashtu theksoi se Evropa praktikisht, nuk ishte e pranishme në tryezë, duke e përshkruar këtë si “një gabim të madh”. //a.i/