E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Intelektualët të dalin nga guaska e konformizmit, më 12 mars para Kuvendit

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që të bashkohen në protestën e opozitës në 12 mars përpara parlamentit.

Në foltoren e përjavshme të PD-së përpara Kryeministrisë, Berisha iu drejtua policëve, ushtarakëve dhe të gjithë punonjësve të administratës, që të mos mbështesin qeverinë por ta sabotojnë çdo ditë këtë regjim.

“Këta janë njerëz që nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin tuaj, të familjeve tuaja, këta janë antishqiptarë që po zbrazin Shqipërinë, po shkatërrojnë Shqipërinë. Ndaj dhe duhet t’u japim atë përgjigje që meritojnë. Në 12 mars, në orën 10:00 të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen para parlamentit”, tha Berisha.

Berisha iu drejtua po ashtu intelektualëve duke u bërë thirrje “të dalin nga guaska e konformizmit”.

“Unë kam një thirrje të veçantë, në radhë të parë për çdo intelektual shqiptar, të dalë nga guaska e konformizmit të tij. Të mos harrojë kurrë se ai investim i madh që kanë bërë shqiptarët për shkollimin e tij, që kanë bërë prindërit e tij për shkollimin e tij, ka qenë para së gjithash dhe mbi të gjithë që ai të jetë, pavarësisht nga profesioni, të jetë një avokat i pamposhtur i interesave të kombit të tij, i interesave të shoqërisë së tij, i interesave të publikut”, tha Berisha.

Berisha iu drejtua mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, ekonomistëve, juristëve të këtij vendi, ndërsa theksoi se “konformizmi me këtë regjim është mëkati më i madh i jetës dhe nënshtrimi ndaj këtij regjimi është një gabim i pafalshëm”.

“Asnjë njeri nuk duhet dhe nuk mund të konformohet dhe të pajtohet me këto që ndodhin.
Por para së gjithash dhe mbi të gjithë, ju banorët e shtëpisë së dijes, anëtarët e inteligjencës së këtij kombi, i keni shumë të mëdha përgjegjësitë ndaj tij. Asnjë prej jush nuk mund të pretendojë se nuk e kupton se kur shkelet Kushtetuta, kur drejtësia asgjësohet, nuk ka më shtet, por ka një bandë, ka një parashtet”, shtoi ai.

Berisha ftoi intelektualët që të bëhen “dalëzotësit” e vendit të tyre, ndërsa u shpreh se “heshtja e tyre është mbështetja më e fuqishme për rrënimin e vendit”.

Po ashtu Berisha u bëri thirrje edhe të rinjve të dalin në shesh.

“Vendi juaj sot ka nevojë më shumë se kurrë për guximin dhe energjinë tuaj”, u shpreh Berisha.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›