Magjia e finales Inter-PSG “zbret” në Tiranë, tifozët shqiptarë përjetojnë emocionet në “Fan Zone”

Magjia e finales së madhe të Champions League mes PSG dhe Interit ka zbritur edhe në Tiranë!
Atmosfera elektrizuese që ka përfshirë Mynihun është ndjerë që prej mëngjesit në zemër të kryeqytetit, ku tifozë të shumtë, shqiptarë dhe turistë, janë bërë pjesë e aktiviteteve të shumta në Fan Zone, në Arena Center, një organizim i veçantë nga Vizion Plus dhe Tring.
Loja e madhe luhet në “Allianz Arena”, por zemra rreh fort edhe këtu, në Tiranë.
Gazetarja e Vizion Plus, Tea Sadiku, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin e lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me gazetarin Roland Zili, ka përcjellë atmosferën nga Arena Center.
Tea Sadiku: Në Arena Center, organizimi nuk ka munguar që nga orët e para të mëngjesit deri në mbrëmje, kur do të kulmojë edhe ndeshja. Tifozë të shumtë janë interesuar për të qenë pjesë e finales, ku më pas do të fillojnë të vendosen edhe ulëset për ta.
Gjatë gjithë ditës, duke filluar prej orës 12:00, një aktivitet i dedikuar për fëmijë mblodhi dhjetëra vogëlushë dhe prindër, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve të Tiranës dhe turistëve. Aktivitetet kanë vijuar gjatë gjithë ditës me muzikë, DJ të ndryshëm, lojëra dhe video të organizuara nga produksioni i Vizion Plus.
Muzika ka mbledhur qytetarë që afrohen dhe pyesin se çfarë po ndodh. Kjo Fan Zone do të jetë ndër më të rëndësishmet në Tiranë, ku do të mblidhen jo vetëm tifozë të Interit, por edhe të PSG-së, duke përjetuar kështu emocionet e një finaleje të madhe./vizionplus.tv