E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mynihu nën ethet e Champions, Vizion Plus në “Allianz Arena”! Gazetari Sina: 700 mijë kërkesa për bileta, në stadium edhe shqiptarë

Finalja e shumëpritur e Champions League mes Paris Saint Germain dhe Interit luhet sot në Allianz Arena të Mynihut, ku pritet një atmosferë e zjarrtë. Vizion Plus ndodhet në Mynih me gazetarin Ervin Sina, i cili ka përcjellë atmosferën para ndeshjes.

Nga “Olympia Park”,  në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin e lajmeve në televizionin kombëtar “Vizion Plus” me gazetarin Roland Zili, Ervin Sina ka treguar se çfarë po ndodh vetëm disa orë para ndeshjes.

Ervin Sina: Një hapësirë jashtëzakonisht e bukur në këtë prag finaleje. Sa më shumë afrohet ora e ndeshjes, aq më shumë tifozë po mblidhen. Ky shesh do të mirëpresë 21 mijë fansa, të cilët do të ndjekin live, në një monitor gjigant, atë që do të ndodhë në “Allianz Arena”. Emocionet janë të mëdha, aktivitetet janë të shumta dhe nuk kanë munguar as legjendat. Kemi pasur turneun e legjendave, ku kanë qenë të pranishëm emra të njohur si Kaká, Cafu e të tjerë, që kanë lënë shenjë të madhe në UEFA Champions League.

Kemi të bëjmë me një finale ku përballen dy skuadra me rrugëtim të ndryshëm. PSG është një skuadër me shumë talente dhe me një trajner shumë motivues. Ndërsa Inter është një skuadër eksperte, cinike, që nuk dorëzohet kurrë. Ka eliminuar Bayernin dhe Barcelonën, dhe ky fakt mjafton për të treguar se ka potencial për të fituar.

Për herë të fundit, Inter ka fituar në vitin 2010 dhe tani kërkon trofeun e katërt. Ndërkohë, PSG synon të bëhet skuadra e dytë franceze që fiton UEFA Champions League, pas Olympique Marseille në vitin 1993. Kjo është hera e dytë që PSG luan në një finale.

Roland Zili: A ka tifozë shqiptarë në mbrëmje në stadium?

Ervin Sina: Kam biseduar me  shqiptarë që kanë qenë të ndarë. Disa kanë siguruar bileta, shumica nuk e kanë pasur një fat të tillë. Kam parë dhe kam biseduar me shumë shqiptarë në Fan Zone, të Kosovës, Maqedonisë, shqiptarë të diasporës, të cilët kanë edhe një ndjeshmëri më të lartë kur takojnë grupe xhirimi nga Shqipëria. Ka qenë e vështirë të siguroje një biletë. Janë vetë 64500 tifozë, ndërkohë që kërkesat për të pasur një biletë kanë qenë diku te 700 mijë, një çmenduri e vërtetë.

Finalja e sotme gjykohet nga rumuni Istvan Kovaç dhe transmetohet në orën 21:00 në Vizion Plus./vizionplus.tv

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›