Makina përplas tre fëmijë në Tiranë, të miturit lëviznin me monopatina, njëri në gjendje të rëndë

Një tjetër aksident i frikshëm ka tronditur Tiranën mesditën e kësaj të mërkure. Në zemër të kryeqytetit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tre fëmijë të mitur nga 9 deri në 11 vjeç teksa po qarkullonin me dy skutera elektrikë, janë përplasur nga një makinë duke i hedhur të miturit disa metra më tej.
Pamjet tregojnë se përplasja ka qenë tejet e fortë, aq sa skuterat elektrikë janë thyer në mes, madje të miturit kanë përfunduar në xhamin e automjetit duke e thyer.
Monopatinat arrijnë një shpejtësi mbi 35 km/h, çka sipas Kodit Rrugor e bën të detyrueshme pajisjen me leje për drejtimin e tij.
Fëmijët po qarkullonin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në afërsi të Piramidës, ndërkohë makina vinte nga rruga e Elbasanit në drejtim të zonës së ish-Bllokut.
Dy prej të plagosurve, 9 dhe 11 vjeç, mësohet se janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore në spitalin e Traumës me dëmtime në krah dhe në këmbë. I treti, një 11-vjeçar është në gjendje të rëndë, pasi ka marrë dëmtime në kokë.
Drejtuesi i mjetit 41 vjeç është shoqëruar në polici deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Sipas eksertizës paraprake mësohet se makina dyshohet se i ka dhënë gaz pasi e ka kapur semafori me portokalli në mënyrë që të shmangë të kuqen, ndërsa të miturit kanë tentuar që të kalojnë rrugën pa u hapur ende jeshilja.
Megjithatë pritet eskpertiza e plotë për të nxjerrë në pah shkaqet e aksidentit të rëndë.
Skuterat elektrikë, ose monopatinat janë kthyer në një shqetësim serioz për blutë dhe mjekët, pasi ka një rritje të frishme të aksidenteve. Sipas policisë në 7% të aksidenteve janë të përfshira monopatinat, ndërkohë që mjekët shprehen se përplasja e drejtuesve të monopatinave është përgjithësisht e rëndë pasi nuk ka asnjë lloj mundësi për tu mbrojtur.
Në disa vende të Europës, për shkak të rrezikut është diskutuar për heqjen e tyre nga qarkullimi.
/vizionplus.tv