E Enjte, 5 Nëntor 2026

Malaj: Efekti i zhvlerësimit të euros në uljen e borxhit publik vetëm 0.4%

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se efekti i zhvlerësimit të euros në uljen e borxhit publik është vetëm 0.4 pikë përqindje.

Malaj, iu përgjigj deputetes së PD-së, Jorida Tabaku, e cila tha se Banka e Shqipërisë vlerëson se 45 % e rënies së borxhit vjen si rezultat i zhvlerësimit të euros.

Sipas saj, kjo llogari e thënë nga Banka i dha të drejtë shqetësimeve të ngritura nga opozita për dëmet që po sjell në ekonomi zhvlerësimi i euros.

“Zhvlerësimi i euros po sjell dëme në ekonomi, industria ka rënie me 7 % dhe është duke shkaktuar rënien fiktive të borxhit”, deklaroi Tabaku. Ajo shprehu nevojën për një model tjetër ekonomik që të mbrojë produktet shqiptare.

Në lidhje me efektet e kursit të këmbimit në uljen e borxhit, ministri Malaj bëri të ditur se efekti i kursit është vetëm 0.4 pikë përqindje.

“Efekti i kursit të këmbimit është vetëm 0.4 pikë përqindje nga 1.2 % që është ulur borxhi publik nga 2023 në 2024”, u shpreh Malaj.

Malaj shpjegoi edhe politikat që po ndërmerr qeveria për mbështetjen e ndërmarrjeve shqiptare për të zbutur efektet e zhvlerësimit të euros.
“Për t’i bërë produktet shqiptare më konkurruese në tregun ndërkombëtar në projektbuxhetin e vitit 2025 janë rreth 5.6 miliardë lekë të hedhura që do të shkojnë në formë granti për të mbështetur startup-et shqiptare, ku deri tani janë alokuar rreth 300 milionë lekë. Kemi mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në formë granti në vlerë 100 milionë lekë. Kemi shtuar skemën e nxitjes së punësimit dhe formimit profesional në vlerën 750 milionë lekë, sikundër kemi edhe skemë e mbështetjes së fermerëve dhe rimbursimit me naftë me rreth 4.4 miliardë lekë“, shpjegoi Malaj.

Sipas tij, këto janë nisma të cilat do të ndihmojnë dhe lehtësojnë ndërmarrjet shqiptare për ti bërë më konkurruese në tregun ndërkombëtar. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›