E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Lehtësitë tatimore nuk përjashtojnë kontrollet te kompanitë e Durana Tech Park

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se për të gjitha subjektet e regjistruara në Durana Tech Park, ekziston një kuadër ligjor i qartë që përcakton kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për të përfituar lehtësitë fiskale.

Sipas ministrit, subjektet që kërkojnë përfitime tatimore duhet të përmbushin kërkesat e përcaktuara dhe të paraqesin dokumentacionin përkatës, i cili shqyrtohet fillimisht nga kompanitë konsulente ose autoritetet përkatëse.

“Pas një analize të thelluar, lista e subjekteve përfitues i dërgohet administratës tatimore, e cila vendos përfundimisht nëse lehtësirat do t’u akordohen apo jo”, u shpreh Malaj.

Ministri Malaj theksoi se marrja e lehtësirave fiskale nuk e ndalon administratën tatimore që të kryejë kontrolle në subjektet e regjistruara dhe nëse gjatë verifikimeve konstatohet se ka parregullsi në ushtrimin e aktivitetit, autoritetet tatimore mund të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas ligjit.

Durana Tech Park është krijuar mbi bazën e ligjit për parqet teknologjike dhe shkencore të vitit 2022, duke u bazuar në modelet më të suksesshme ndërkombëtare. Ai fillimisht funksionon si një platformë virtuale, që do të evoluojë më pas drejt një modeli hibrid, me prani fizike dhe virtuale, ku kompanitë mund të zgjedhin të jenë plotësisht online.

Parku ofron një paketë tërheqëse lehtësish fiskale, duke përfshirë tatimfitim zero për 15 vjet, paga të patatueshme dhe kontribute të reduktuara të sigurimeve shoqërore për punonjësit e IT-së. Megjithatë, vlera kryesore e parkut mbetet rrjeti i bashkëpunimit, duke krijuar mundësi lidhjeje midis kompanive, startup-eve, universiteteve dhe partnerëve të mundshëm të biznesit.

Durana Tech Park është i hapur për kompani teknologjike dhe inovative, startup-e, nomadë digjitalë, si dhe universitete dhe institute kërkimore. Deri tani, 142 kompani kanë shfaqur interes, shumica ndërkombëtare nga SHBA, Italia, Gjermania, Estonia dhe vende të tjera, me 53 kontrata të nënshkruara dhe 25 të tjera në fazën përfundimtare të procesit.

Parku po punon gjithashtu për përafrimin e kurrikulave universitare me nevojat e tregut të punës dhe për aplikime për fonde ndërkombëtare përmes konsorciumeve me universitete.

Ndërtimi fizik do të nisë në zonën e Xhafzotajt, në një truall shtetëror prej 80 hektarësh, ku faza e parë do të përfshijë 14 hektarë. Përpara fillimit të punimeve, drejtuesit e parkut do të bashkëpunojnë me kompanitë e regjistruara për të përcaktuar nevojat specifike për hapësirat fizike.

Durana Tech Park përfaqëson një model të ri zhvillimi për ekonominë shqiptare, duke kombinuar incentivat fiskale me fuqinë e bashkëpunimit dhe inovacionit, me synimin për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion tërheqës për teknologjinë e lartë dhe mundësinë që të rinjtë të punojnë për kompani globale pa u larguar nga vendi. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›