Malaj: Raporti i BB, instrument strategjik për forcimin e qëndrueshmërisë fiskale

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga Banka Botërore në Tiranë, ku u prezantua raporti “Shqipëri – Rishikimi i Financave Publike: Forcimi i qëndrueshmërisë fiskale për një ekonomi më rezistente dhe zhvillim njerëzor”.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe drejtuesi i Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Massimiliano Palucci.
Në fjalën e tij, ministri Malaj vlerësoi raportin si një dokument të rëndësishëm dhe të pavarur, që ofron një panoramë të qartë të sistemeve të financave publike dhe shërben si bazë për vendimmarrjen e politikave në rrugën drejt integrimit europian.
Malaj theksoi se Shqipëria ka treguar qëndrueshmëri dhe ka ruajtur stabilitetin makroekonomik përballë goditjeve të viteve të fundit, duke forcuar kuadrin fiskal dhe duke ndërmarrë reforma për përmirësimin e shërbimeve dhe mundësive për qytetarët.
Megjithatë, ai nënvizoi se për arritjen e objektivave afatgjata – rritjen ekonomike, krijimin e mundësive të reja për të rinjtë, sigurimin e arsimit dhe kujdesit shëndetësor cilësor dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne – kërkohen përpjekje të vazhdueshme dhe angazhim në vijimin e reformave.
Duke iu referuar raportit, Malaj u shpreh se ai nuk përfaqëson vetëm një dokument teknik, por një instrument strategjik që përmirëson mënyrën e hartimit dhe zbatimit të politikave fiskale. Raporti analizon pesë dimensione kryesore: kuadrin makrofiskal dhe rreziqet fiskale; sistemin e të ardhurave dhe potencialin e pashfrytëzuar; përbërjen dhe efikasitetin e shpenzimeve publike; qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve në kushtet e plakjes së popullsisë; si dhe investimet në edukimin dhe kujdesin e fëmijërisë së hershme.
“Kuadri fiskal që ndërtojmë sot do të formësojë të ardhmen e Shqipërisë në dekadat e ardhshme. Ai do të përcaktojë aftësinë për të investuar në kapitalin njerëzor, për të mbështetur bizneset konkurruese, për të ndërtuar infrastrukturë të fortë, për të siguruar pensione dinjitoze dhe për të rritur qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve klimatike dhe fatkeqësive natyrore”, u shpreh Malaj.
Ministri vlerësoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti të Bankës Botërore, duke theksuar se raporti i Rishikimit të Financave Publike përfaqëson një tjetër kontribut të rëndësishëm në bashkëpunimin e gjatë me këtë institucion.
/e.xh/r.e/ /a.g/