E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Malaj: Rritëm me 400 milionë euro buxhetin për shëndetësinë krahasuar me 2013-ën

TIRANË, 18 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot në Kuvend se në vitin 2013 shëndetësia financohej me 35.4 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2025 me 76.3 miliardë lekë, ose 400 milionë euro më shumë.

Gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2025, Malaj iu përgjigj pyetjeve të deputetit të PD-së, Tritan Shehu mbi buxhetin e shëndetësisë, ndërsa ky i fundit u shpreh se buxheti i shëndetësisë është i ulëti në Europë me 2% të GDP-së.

Nga ana e tij, Malaj u ndal te buxheti i shëndetësisë, duke evidentuar rritjen e pagave si dhe programet kryesore që do të financohen me këtë buxhet.

“Në vitin 2013 shëndetësia financohej me 35.4 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2025 me  76.3 miliardë lekë, ose 400 milionë euro më shumë. Në vitin 2013 paga e mesatare e mjekëve ishte 70 mijë e 500 lekë, ndërsa paga mesatare e infermierëve ishte 39 mijë e 800 lekë, ndërsa në vitin 2025 paga mesatare e mjekëve është 150 mijë lekë dhe e infermierëve 87 mijë lekë”, tha Malaj.

Ministri theksoi se ka një rritje me dyfish të pagave në këtë sektor.

“Me buxhetin e vitit 2025 me prioritet do të financohen politikat si më poshtë: Do të ketë mbështetje për 400 mijë qytetarë për sa i përket rimbursimit të barnave. Kemi rritur tavanin e vlerës për rimbursimin e barnave nga 12 miliardë lekë në 12.6 miliardë lekë”, tha Malaj.

Po ashtu, ministri theksoi se do të ketë diagnostifikim dhe kontrolle falas për rreth 492 mijë qytetarë, sikundër do të ketë edhe vaksinim dhe program të plotë imunizimi për rreth 192 mijë fëmijë dhe 250 mijë qytetarë.

“Kjo e tregon qartazi fokusin që ka qeveria shqiptare ndaj sektorit të shëndetësisë”, tha Malaj. /a.g/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›