E Premte, 6 Nëntor 2026

Malaj: Mbi 93% e të punësuarve, tatim mbi të ardhurat personale midis 0 dhe 10 %

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj tha sot se “mbi 93% e të punësuarve në Republikën e Shqipërisë paguajnë tatim mbi të ardhurat personale midis 0 dhe 10 %”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale, Malaj tha se “janë vetëm 7% të cilët kalojnë normën e tatimit mbi të ardhurat personale mbi 10%”.

“Norma efektive e tatimit mbi të ardhurat personale duke qenë se është një normë progresive për 93% të të punësuarve në Republikën e Shqipërisë është nga 0-10%.  Kështu që argumenti që ne paguajmë më shumë tatim mbi të ardhurat personale se vendet e rajonit nuk qëndron fare”, theksoi Malaj.

Sa i përket pyetjes lidhur me çmimin e karburanteve nga deputeti Xhelal Mziu, Malaj tha se “të gjithë dakord që shteti ndërtohet mbi taksa e tatime dhe mbi akcizat që ai mbledh. Në këtë kontekst do të duam më shumë rrugë, më shumë investime publike do të duhet të aplikojmë tatime dhe taksa”.

“Besoj se kjo është në linjë me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit”, shtoi Malaj.

Mziu pyeti edhe në lidhje me numrin e të punësuarve në administratë, Malaj tha se numri i të punësuarve në administratën qendrore është 86 mijë persona jo 200 mijë sa e proklamoni juve.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›