Malaj: Titujt qeveritarë, një mundësi e sigurt dhe fitimprurëse për investitorët

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka theksuar rëndësinë e rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve dhe bizneseve në tregun e brendshëm të borxhit publik, duke e konsideruar këtë si një mundësi të sigurt për rritjen e vlerës së kursimeve.
“Është koha e duhur! Ju mund të investoni në tituj qeveritarë dhe të merrni pjesë në ankande për t’i rritur vlerën kursimeve tuaja,” shkroi ministri Malaj në rrjete sociale.
Malaj, tha se titujt qeveritarë janë si një alternativë e sigurt për investim, duke ftuar qytetarët dhe investitorët të bëhen pjesë e ankandeve publike të zhvilluara nga Ministria e Financave.
“Titujt qeveritarë janë investime të garantuara nga Qeveria e Shqipërisë dhe shiten përmes ankandeve të Ministrisë së Financave. Ato ofrojnë disa përparësi të rëndësishme: risk të ulët, kthim më të lartë se depozitat me afat dhe mundësi për t’u shitur lehtësisht në çdo kohë,” u shpreh ministri Malaj.
Llojet e titujve qeveritarë përfshijnë: Bonot e Thesarit – Investime afatshkurtra me maturim 3, 6 dhe 12 muaj. Tregtohen me zbritje, që do të thotë blihen me një çmim më të ulët dhe shlyhen në maturim me vlerën e plotë. Obligacionet – Investime afatmesme dhe afatgjata, me afate nga 2 deri në 20 vjet.
Këto tituj ofrojnë pagesë interesi të rregullt çdo 6 muaj përmes kuponit.
Qytetarët mund të bëhen pjesë e ankandeve në mënyrë të thjeshtë:
Për Bonot e Thesarit, mund të paraqiten pranë sporteleve të Bankës së Shqipërisë.
Për Bonot dhe Obligacionet, mund të aplikojnë përmes bankave të nivelit të dytë.
Ministria e Financave vijon përpjekjet për të promovuar investimin në tituj qeveritarë si një mënyrë efikase për të shtuar vlerën e kursimeve dhe për të përfshirë më gjerësisht qytetarët në tregun financiar.
Në këtë kuadër Ministria e Financave vijon fushatën informuese për të nxitur qytetarët të marrin pjesë më aktivisht në tregun financiar, duke përfituar nga mekanizmat e ankandeve publike dhe mundësitë që ofron tregu i titujve të borxhit.
1 nga 4/e.xh/a.f/