E Diel, 1 Nëntor 2026

Mali i Zi heq udhëtimin pa viza për rusët, Moska ka gati kundërpërgjigjen

Mali i Zi i ka dhënë fund regjimit të udhëtimit pa viza për qytetarët rusë, duke vendosur që nga 1 nëntori 2026 hyrja në vend të bëhet vetëm me vizë. Vendimi vjen në kuadër të përpjekjeve të Podgoricës për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian, ndërsa synon anëtarësimin në BE në vitin 2028.

Sipas rregullave të reja, viza për të rriturit kushton 35 euro, ndërsa për fëmijët nën 14 vjeç tarifa është 17.50 euro. Aplikimet mund të dorëzohen në qendrat e vizave VFS Global në nëntë qytete të Rusisë, si dhe në Ambasadën e Malit të Zi në Moskë. Procedura e shqyrtimit pritet të zgjasë nga dy deri në tre javë.

Megjithatë, qytetarët rusë që disponojnë një vizë të vlefshme Shengen ose dokumente të tjera udhëtimi të njohura nga autoritetet malazeze mund të hyjnë në vend pa pasur nevojë të pajisen me vizë të veçantë malazeze.

Ky vendim shënon përfundimin e marrëveshjes së udhëtimit pa viza mes dy vendeve, e cila ishte në fuqi që prej vitit 2008.

Moska nuk ka vonuar të reagojë dhe ka paralajmëruar masa reciproke. Duke filluar nga 30 dhjetori 2026, edhe qytetarët e Malit të Zi do të duhet të pajisen me vizë për të udhëtuar drejt Rusisë.

Kështu, vendimi i Podgoricës për t’iu përshtatur politikës së vizave të BE-së sjell edhe një ndryshim në marrëdhëniet e udhëtimit mes dy vendeve, duke i dhënë fund një regjimi që kishte zgjatur për më shumë se 18 vite.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›