Lirohen 4 nxënësit nga Durrësi që u ndaluan në Mal të Zi, ambasada shqiptare: U respektuan të drejtat e tyre dhe u sigurua avokat, përkthyes e psikolog

Ambasada shqiptare në Mal të Zi ka njoftuar lirimin e 4 nxënësve të mitur nga Durrësi që u ndaluan sepse kishin bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare. Kjo kishte shkaktuar një konflikt me një malazeze.
Ambasada thotë se ka qëndruar pranë tyre duke u ofruar asistencë dhe ka komunikuar vazhdimisht me familjarët e mësuesit. Gjatë procedurave, të miturve u është siguruar avokat, përkthyes e psikolog.
“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi informon se katër nxënësit shqiptarë të mitur, të ndaluar më 31 tetor në Kotorr, janë liruar pa dënim pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe janë nisur drejt Shqipërisë.
Sipas informacionit të marrë, ndalimi pasoi një konflikt verbal me një shtetase malazeze, pasi nxënësit kishin bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.
Që prej marrjes dijeni për ngjarjen dhe deri në përfundimin e procedurave ligjore e nisjen e nxënësve drejt Shqipërisë, përfaqësuesi i Ambasadës ka qëndruar pranë tyre, duke ofruar asistencë konsullore. Ambasada ka mbajtur gjatë gjithë kohës komunikim të vazhdueshëm me autoritetet malazeze, familjarët dhe mësuesit.
Sipas autoriteteve malazeze, gjatë procedurave është garantuar respektimi i të drejtave të të miturve dhe u është siguruar avokat, përkthyes dhe psikolog.
Ambasada vlerëson bashkëpunimin me autoritetet malazeze dhe mbetet e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasve shqiptarë”, thotë njoftimi zyrtar.
Lajmi kryesor:

