E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump intensifikon fushatën/ Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, mbi 50 milion qytetarë kanë votuar

schedule15:32 - 1 Nëntor, 2026

Mbi 50 milionë amerikanë kanë votuar paraprakisht, ndërsa Shtetet e Bashkuara i afrohen ditës vendimtare të zgjedhjeve të mesmandatit. Me fushatën elektorale në ditët e fundit, presidenti Donald Trump ka intensifikuar aktivitetet politike, duke u përqendruar te mobilizimi i bazës republikane dhe rritja e pjesëmarrjes në votime.

Trump ka zhvilluar tubime elektorale pothuajse çdo ditë gjatë këtij muaji, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij të marrin pjesë masivisht në zgjedhje.
Interesi për këto zgjedhje është veçanërisht i lartë. Mbi 50 milionë vota janë hedhur paraprakisht, personalisht ose përmes postës. Shifra shënon një rritje të ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022, kur rreth 46 milionë amerikanë votuan përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve.

Në Teksas, më shumë se 7 milionë qytetarë kanë votuar paraprakisht, rreth 1.5 milionë më shumë se në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022.
Vetëm në qarkun Harris, ku përfshihet edhe qyteti i Hjustonit, janë regjistruar mbi 862 mijë votues deri në mesin e javës, një rritje e konsiderueshme krahasuar me të njëjtën periudhë katër vite më parë.

Teksasi mbetet një prej pikave kryesore të përballjes politike, pasi demokratët synojnë të fitojnë terren në një shtet që prej më shumë se tri dekadash nuk ka votuar për një kandidat demokrat në zgjedhjet mbarështetërore.

Në garën për Senat, republikani Ken Paxton përballet me demokratin James Talarico, ndërsa guvernatori republikan Greg Abbott kërkon një tjetër mandat përballë demokrates Gina Hinojosa.
Rritje të votimit paraprak jane rregjistuar edhe në shtete të tjera. Në Karolinën e Jugut pjesëmarrja e hershme është rritur me 83 për qind krahasuar me vitin 2022, në Kansas me 34 për qind, në Maine me 44 për qind dhe në Michigan me 32 për qind.

Në këto zgjedhje vihen në votim 35 nga 100 vendet e Senatit dhe të gjitha 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.
Republikanët mbrojnë shumicën në Senat, me raportin 53 me 47, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve kanë një avantazh të ngushtë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›