Mallakastër: gjendet i vetëvarur një 13-vjeçar
Një trembëdhjetë vjeçar nga fshati Belishovë i rrethit Mallakastër është gjendur i varur në një banesë të papërfunduar në orët e vona të mbrëmjes së ditës së martë. Burimet zyrtare të policisë së Mallakastrës thanë se :" rreth orës 22.30 të mbrëmjes së ditës së djeshme është gjetur i varur në banesën e papërfunduar të shtetasit Bashkim Alushi , 13 -vjeçari Nertil Muhametaj . Nga hetimet e para në vendngjarje policia nuk ka konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera në trupin e viktimës. Në vendngjarje u gjetën dhe fiksuan në cilësinë e provës materiale litari, një bluzë, një palë shapka plastike. Të pyetur rreth ngjarjes, familjarët nuk ngrenë ndonjë pretendim dhe nuk japin ndonjë version për shkaqet e vetëflijimit të 13-vjeçarit . Gjithsesi policia ja ka kaluar materialet prokurorisë e cila do të vazhdojë hetimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rrethanave të humbjes së jetës të 13-vjeçarit . Për të përcaktuar shkaqet e vërteta të vdekjes pritet të merret përgjigja e akt -ekspertimit mjeko ligjor të kufomës.