E Diel, 1 Nëntor 2026

Manastirliu: Dialog me të rinjtë për çdo vendimmarrje të bashkisë

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Kandidatja e Partisë Socialiste për kryetare të bashkisë së Tiranës, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me të rinj të njësisë 9 të kryeqytetit, ku theksoi rëndësinë e përfshirjes së tyre aktive në vendimmarrjet dhe politikat e bashkisë së Tiranës.

Ajo i ftoi të rinjtë të japin kontributin e tyre dhe të jenë pjesë e programeve dhe nismave të reja të bashkisë, duke nisur me një pjesëmarrje aktive në diskutimet e platformave të dialogut.

“Nëse do të bëjmë një gjë – dhe do ta bëjmë në mënyrë konsistente – është diskutimi në platformat e dialogut me të rinj për çdo vendimmarrje të bashkisë sepse të rinjtë, jo vetëm që duhet të jenë pjesë e politikave që bashkia ndërmerr, programeve, por të rinjtë duhet të kontribuojnë aktivisht në këto programe. Duhet të kontribuojnë aktivisht në punët e bashkisë, në punët e qytetit”, u shpreh Manastirliu, teksa vlerësoi se energjia e të rinjve është e jashtëzakonshme për t’i kthyer idetë në realitet.

Kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë e Tiranës, u shpreh se Tirana e vitit 2030 do të jetë “një qytet i të rinjve dhe për të rinjtë”.

“Janë shumë të rinj sot që na bashkohen, sepse shohin qëllimin e përbashkët, për të mirën e përbashkët dhe ajo që na bashkon të gjithëve sot këtu, është edhe një tjetër emërues. Është ajo që ne duam të bëjmë për fëmijët dhe për të rinjtë, sepse Tirana e 2030-ës është Tirana e së ardhmes që u përket ju, të rinjve”, tha Manastirliu.

Manastirliu siguroi se Bashkia e Tiranës do të jetë me “derë të hapur” për çdo profesionist të ri që dëshiron të kontribuojë për qytetin, përmes programeve të praktikave të punës dhe angazhimeve vullnetare.

1 nga 2

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›