E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: “Zgjedhoren” e votuam nga rekomandimet e OSBE-ODIHR, “Territorialja” ishte antireformë

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se PD votoi për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, atë për Reformën Zgjedhore dhe për Reformën Administrativo-Territoriale, për dy arsye themelore.

Berisha tha se “së pari, janë një seri e pafundme e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, të cilat ne i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme”.

“OSBE-ODIHR ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi në mënyrë përfundimtare si një farsë e shëmtuar zgjedhore, zgjedhjet e 11 majit”, tha Berisha.

Berisha shtoi se në këtë kontekst “ne ndjehemi të detyruar ndaj tyre që orientimet e drejta dhe rekomandimet e drejta, t’i kthejmë në ligj”.

Së dyti, shtoi Berisha, “Reforma Territoriale ishte një antireformë, në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale”.

“Mjafton të rikujtoj këtu se qarku i Gjirokastrës, me 120 mijë banorë ka 7 njësi; qarku i Tiranës me mbi 1 milion banorë ka 4 njësi.

Sigurisht që ne do bëjmë gjithçka që këto padrejtësi maksimale të largohen, të anulohen dhe kjo me ndihmën e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës”, tha Berisha.

Sipas Berishës, “është vetëm vendimi i qytetarëve ai që do t’u rikthejë shqiptarëve votën. Është përpjekja e opozitës ajo që do t’u rikthejë shqiptarëve votën”.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›