E Premte, 6 Nëntor 2026

Manastirliu: Duam ta institucionalizojmë mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu shprehu sot mirënjohjen për të gjithë mësuesit që po kontribuojnë për promovimin dhe mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.

Në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe, të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në sesionin “Gjuha shqipe në diasporë, ku është i pranishëm edhe ministri për Evropian dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministrja Manastirliu tha se “tashmë kemi filluar dhe nuk do ta ndalim mbështetjen që ne po japim përmes programeve që pilotojmë”.

“Për herë të parë këtë vit dhe pikërisht është programi ”Mësues për Greqinë” dhe nëpërmjet këtij programi kemi angazhuar edhe financim të posaçëm për mbështetjen dhe shpërblimin financiar të mësuesve në Greqi për ata që mësojnë shqip në klasat e organizuara sipas shoqatave të ndryshme, përmes pikërisht ambasadës sonë në Greqi dhe me kontributin e shtetit shqiptar, qeverisë shqiptare në këtë angazhim të mirëfilltë të këtij programi, i cili për herë të parë do të bëjë të mundur që mësuesit që mësojnë shqipen për fëmijët në Greqi të mundet të kenë edhe shpërblim financiar”, nënvizoi Manastriliu.

Nuk është tek shpërblimi financiar, tha Manastirliu,  ne e dimë të gjithë këtë gjë se ju e bëni prej vitesh e vitesh e do ta bëni gjithmonë, por është tek fakti ne duam ta institucionalizojmë mësimin e gjuhës shqipe dhe na nevojitet të kemi të gjitha rrjetet e nevojshme, por edhe të garantojmë që të gjitha mjetet që ekzistojnë të përdoren dhe mbi të gjitha cilësia e edukimit.

“Sa i përket gjuhës shqipe të jetë në lartësinë e duhur e para sepse tashmë ne kemi abetaren e unifikuar, e cila çdo vit shkon tek klasat tona në diasporë, kemi gjuhën dhe kulturën shqiptare, tekstin e përbashkët për nivelin e parë dhe të dytë që tashmë edhe këto tekste si paketa mësimore çdo vit falë mbështetjes së qeverisë shqiptare shkojnë në lidhjet tona të arsimtarëve dhe shpërndahen pikërisht në klasat e mësimit shqip në 14 vende”, tha Manastirliu.

Por, theksoi ministrja, nga ana tjetër  jemi duke punuar me Ministrinë e Arsimit të Kosovës për të përmbyllur edhe nivelin e  tretë të tekstit të përbashkët për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare.

Më tej, ministrja Manastirliu u shpreh se “po finalizojmë një kurikul, e cila është e mirorganizuar, e adaptuar dhe gjithashtu edhe e unifikuar. Një tekst i unifikuar i përbashkët që jep mundësi që ne ta kemi jo vetëm në kopje të shkruar në botim , por edhe n një format online, format virtual i cili gjendet në faqen e botimeve të diasporës si një libër, i cili mund të shfletohet në mënyrë virtuale në atë faqe”.

“Por nuk do të ndalemi këtu sepse ajo që ne jemi duke u përpjekur dhe shumë shpejt do ta finalizojmë përmes hapave të parë që kemi nisur për një platformë për të mësuar shqip dhe e dimë shumë mirë me teknologjinë që ecën me hapa shumë të mëdha me gjithë platformat interaktive, ne duhet patjetër që të kemi një platformë online të mësimit shqip ku edhe nëpërmjet lojërave dhe mjeteve interaktive fëmijët të ndihen të angazhuar dhe të mundet që të mësojnë shqip edhe përmes aplikacioneve dhe platformave të tilla”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu e vuri theksin edhe tek trajnimi i mësuesve në diasporë.

“Ne duhet të fuqizojmë trajnimin e mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë. Në bëjmë çdo vit seminare ku mblidhen me qindra mësues nga vende të ndryshme dhe së bashku ndajmë metodat më të reja efektive të mësimdhënies dhe ajo që na nevojitet është të shfrytëzojmë edhe teknologjinë për të na sjellë më afër dhe këto trajnime të organizohen edhe më shpesh, por edhe kualifikimi i mësuesve në diasporë të jetë ashtu sikurse është kualifikimi i mësuesve në sistemin tonë arsimor”, tha Manastirliu.

/k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›