E Hënë, 2 Nëntor 2026

Manastirliu dhe Ibrahimaj me qytetarët në njësitë 7 dhe 10 në Tiranë: Buxheti i 2026, buxheti i qytetarëve

Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ishin të pranishme në një takim me qytetarët e njësive 7 dhe 10 në kryeqytet, ku prezantuan projektet dhe investimet konkrete që do të realizohen përmes buxhetit të vitit 2026.

Manastirliu theksoi se ky buxhet është “buxheti i qytetarëve”, duke sjellë mbështetje të drejtpërdrejtë për pensionistët përmes rritjes së pensioneve që nis nga janari 2026. Ajo kujtoi se qeveria ka vendosur bonusin e fundvitit për pensionistët, i cili ka nisur të shpërndahet dhe mund të tërhiqet deri në qershor 2026. Sipas saj, mbështetja për pensionistët do të vijojë për katër vite, duke garantuar rritje të qëndrueshme vit pas viti.

“Ky buxhet është buxheti i qytetarëve, që mbështet pensionistët përmes rritjes së pensioneve duke filluar nga janari 2026. Qeveria mori vendimin për bonusin e fundvitit për pensionistët që ka nisur të jepet dhe mund të tërhiqet deri në qershor 2026. Mbështetja për pensionistët do të vijojë në 4 vite duke realizuar premtimin për rritjen e pensioneve dhe për qëndrueshmërinë e rritjes së pensioneve, vit pas viti. Rritja e pagave është një tjetër mbështetje buxhetore që vjen për administratën publike, profesionistët e shëndetësisë, mësuesit, Forcat e Armatosura dhe pa lënë mënjanë edhe mbështetjen përmes pagës minimale, efektet e së cilës fillojnë nga janari 2026 dhe prekin edhe sektorin jopublik”, tha Manastirliu.

Manastirliu u ndal edhe te investimet e planifikuara për njësitë 7 dhe 10, të cilat i cilësoi si prioritare për Bashkinë dhe Qeverinë.

“Njësia 10, 7, dy njësi që janë kufitare dhe kanë qenë prioritet për investimet  e Bashkisë, Qeverisë dhe ku edhe për vitin 2026 janë planifikuar investime që përmirësojnë cilësinë e jetës së komuniteteve dhe përmirësojnë shërbimet publike. Edhe pse është bërë një punë e madhe për ri9ndërrtimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave, prap ende mbete shumë për t’u bërë. Për njësinë 7 do përfundojë ndërtimi i shkollës “Pjetër Budi”, fillon edhe shkolla e mesme “Stavri Themeli”, për njësinë 10 do të kemi përfundimin e investimit në shkollën “Avni Rustemi”, theksoi ajo.

Ministrja Ibrahimaj shpjegoi skemën sesi parashikohet të kryhet rritja e pensioneve.

“Ne kemi parashikuar një rritje të të ardhurave të pensionistëve për çdo muaj, me qëllim që ata pensionistë që kanë vite të plota pune të fillojnë të kenë një rritje që nga janari i vitit të ardhshëm me 18 mijë lekë të vjetra për çdo muaj. Për vitin 2027 është parashikuar që kjo rritje të tjerë dyfish dhe për vitin 2028 të jetë trefish, deri sa të arrihet vlera 400 mijë lekë. Për ata që nuk i kanë vitet e plota të punës, por kanë minimumi 15 vite pune, ishte parashikuar  që pensioni i tyre deri në përfundim të mandatit do të shkojë 220 mijë lekë. Ata për çdo muaj do të marrin 8 mijë lekë më shumë në vitin 2026, 16 në vitin 2027 e kështu me radhë deri sa të arrijnë vlerën 220 mijë lekë. Sa i përket pensioneve rurale, deri në fund të mandatit do të shkojë 180 mijë lekë, pensioni mesatar familjar do të shkojë 180 mijë lekë dhe i invaliditeti do të shkojë mesatarisht 300 mijë lekë”, shpjegoi ministrja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›